Një thatësirë shkatërruese që ka goditur Bririn e Afrikës nuk mund të kishte ndodhur pa ngrohjen globale, sipas një raporti të ri të publikuar këtë javë nga një ekip ndërkombëtar i shkencëtarëve të klimës.
“Ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu e kanë bërë thatësirën bujqësore në Bririn e Afrikës rreth 100 herë më të mundshme”, thuhet në raportin e World Weather Attribution (WWA).
“Thatësira shkatërruese e vazhdueshme nuk do të kishte ndodhur fare pa efektin e emetimeve të gazeve serrë” shtoi raporti.
Që nga fundi i vitit 2020, vendet në Bririn e Afrikës – Xhibuti, Etiopia, Eritrea, Kenia, Somalia, Sudani i Jugut dhe Sudani – kanë vuajtur thatësirën më të keqe në 40 vjet. Thatësira ka çuar në vdekjen e miliona krerë bagëtish dhe ka zhdukur të korrat.
Studimi i WWA u përqendrua në tre zonat më të goditura nga thatësira: Etiopia jugore, Somalia dhe Kenia lindore.
“Dështimet e të korrave dhe vdekja e bagëtive kanë lënë më shumë se 20 milionë njerëz në rrezik të pasigurisë akute ushqimore”.
WWA tha se, për analizën e saj të shpejtë, “shkencëtarët shikuan ndryshimet në reshjet në 2021 dhe 2022 në rajonin e prekur, në Etiopinë jugore, Somalinë jugore dhe Keninë lindore”./UBTNews/