Lindja e Mesme po ngrohet me pothuajse dyfishin e mesatares globale, duke kërcënuar me ndikime potencialisht shkatërruese për njerëzit dhe ekonomitë e saj, sipas një studimi të ri rreth klimës.
Me politikat aktuale, është rrezik se më shumë se 400 milionë banorët e Lindjes së Mesme do të përballen me valë ekstreme të të nxehtit, thatësira të zgjatura dhe rritje të nivelit të detit, thuhet në raportin e publikuar përpara samitit të klimës COP27 të OKB-së në Egjipt më vonë këtë vit.
Studimi zbuloi një rritje mesatare prej 0,45 gradë Celsius për dekadë në të gjithë Lindjen e Mesme dhe rajonin lindor të Mesdheut, bazuar në të dhënat për vitet 1981-2019, gjatë së cilës rritja mesatare globale ishte 0,27 gradë për dekadë.
Nëse nuk merren masa, rajoni parashikohet të nxehet me pesë gradë Celsius deri në fund të shekullit, duke tejkaluar ndoshta “kufinjtë kritikë për përshtatshmërinë njerëzore” në disa vende, thuhet në raport.
Njerëzit“do të përballen me sfida të mëdha shëndetësore dhe rreziqe të jetesës, veçanërisht komunitetet e paprivilegjuara, të moshuarit, fëmijët dhe gratë shtatzëna”, shkroi Jos Lelieveld nga Instituti Max Planck për Kimi dhe Instituti i Qipros.
Studimi mbulon rajonin që shtrihet nga Greqia dhe Egjipti në perëndim deri në Liban, Siri dhe Irak, dhe shtetet e Gjirit Bahrein, Kuvajt dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe Iranin në lindje.
‘Sfida të rënda’
Lindja e Mesme jo vetëm që do të vuajë seriozisht nga ndryshimet klimatike, por gjithashtu është bërë një kontribues i madh në të, thuhet në raportin e botuar për herë të parë në qershor në revistën Reviews of Geophysics i cili u përditësua këtë javë.
Studimi tregon se Lindja e Mesme e pasur me naftë është në rrugën e duhur për t’u bërë një nga burimet kryesore në botë të emetimeve të gazeve serrë, duke kapërcyer Bashkimin Evropian brenda disa viteve.
Lelieveld paralajmëroi se,“një bashkëpunim më i fortë midis vendeve është i domosdoshëm për të përballuar ndikimet e pritshme negative”.
Sipas raportit, “praktikisht të gjitha” fushat e jetës do të “ndikohen në mënyrë kritike” nga kushtet klimatike më të nxehta dhe më të thata, duke kontribuar potencialisht në një rritje të shkallës së vdekshmërisë dhe duke përkeqësuar “pabarazitë midis popullsisë më të pasur dhe të varfër” të rajonit.
Planeti është ngrohur mesatarisht me afro 1.2 gradë që nga koha e industrisë. Në maj, Organizata Botërore Meteorologjike e OKB-së tha se kishte një shans të barabartë që objektivi 1.5 gradë të shkelej brenda pesë viteve të ardhshme./UBTNews/
Vërejtje: Raporti në fjalë është publikuar fillimisht në muajin qershor, por është përditësuar këtë javë.