Komisioni Evropian të martën (19 tetor) prezanton Raportet e Progresit për vendet e zgjerimit.
Paketa e zgjerimit, që përfshinë edhe raportet vjetore të progresit për vendet në këtë proces, pritet të konstatojë vetëm një përparim të kufizuar të këtyre vendeve drejt përmbushjes së kritereve për integrim në Bashkimin Evropian.
Këto raporte pritet të miratohen të martën nga Kolegji i Komisionerëve dhe të prezantohen para deputetëve të Parlamentit Evropian, nga Oliver Varhelyi, komisionari për zgjerim i BE-së.
Sa i takon Kosovës, sipas draftit të raportit, në një pjesë të së cilit ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë, pritet të konstatohet se pas një periudhe të mungesës së stabilitetit politik, me mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme është formuar qeveria me një shumicë të pa precedencë.
Por, pritet të thuhet në raport, rrethanat e krijuara nga jostabiliteti politik dhe nga pasojat e pandemisë, kanë ndikuar që progresi në zbatimin e agjendës së reformave evropiane të Kosovës të jetë i kufizuar.
Pandaj, edhe përmes këtij Raporti të Progresit, Komisioni Evropian do t’i bëj thirrje institucioneve të Kosovës që t’i qasen me prioritet zbatimit të agjendës evropiane.
Periudha kohore të cilën e mbulon ky raport përfshin vitin 2020 dhe pjesën e këtij viti deri në verë. Kësaj rradhe për të gjitha shtetet raporti flet edhe për përballjen me pandeminë dhe me pasojat ekonomike që i ka shkaktuar ajo.
Po ashtu përmend në mënyrë të veçantë për secilin shtet edhe ndihmën që e ka dhënë Bashkimi Evropian në këtë drejtim.
Nga të gjitha shtetet e rajonit, Komisioni Evropian do të kërkojë që të bëhen më shumë përpjekje në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në ndërtimin e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, dhe fokus të veçantë në sundimin e ligjit.
Në Raportet e Progresit për Kosovën dhe në atë për Serbinë flitet edhe për dialogun mes këtyre dy vendeve që është duke u zhvilluar me lehtësimin e Bashkimit Evropian. Aty nënvizohet se janë zhvilluar dy takime të nivelit të lartë, në qershor dhe korrik, si dhe tri takime në nivel të kryenegociatorëve.
Edhe Kosovës edhe Serbisë do t’u bëhet thirrje që të zbatojnë marrëveshjet e arritura në dialog deri më tash dhe të kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje githëpërfshirëse, ligjërisht obliguese për normalizimin e raporteve.
“Një marrëveshje e tillë është nevojë urgjente dhe kyçe në mënyrë që Kosova dhe Serbia të avancojnë ne rrugëtimin e tyre përkatës evropian”, thuhet në tekst.
Në raportin për Serbinë do të përmendet edhe fakti se ky shtet, ndonëse ka rritur në mënyrë simbolike përshtatjen e qëndrimeve me BE-në në çështjet e politikës së jashtme, në shumë çështje nuk e ka mbështetur BE-në.
Pasi integrimi në BE konsiderohet si synim strategjik, Bashkimi Evropian nga të gjitha shtetet e përfshira në këtë paketë kërkon që të mbështesin edhe qëndrimet evropiane në politikën e jashtme.
Komisioni Evropian, sipas drafteve të raporteve që do të miratohen të martën, do të përsërisë qëndrimin e shprehur edhe më herët se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur të gjitha kushtet për të nisur negociatat e anëtarësimit.
Po ashtu do të ritheksojë se qëndron edhe prapa rekomandimit që për Kosovën të liberalizohen vizat, një çështje e cila tash e një kohë të gjatë është në duart e Këshillit të BE-së ku nuk është arritur kompromis mes vendeve anëtare që të merret ky vendim.
Mjaft kritik pritet të jetë edhe raporti për Bosnje e Hercegovinën, vend ky ku po vazhdon kriza politike. Po ashtu do të përmendet edhe kriza në Mal të Zi si dhe tensionimi i raporteve të këtij shteti me Serbinë.
Komisioni Evropian kësaj radhe në këto raporte flet edhe për avancimin e vendeve të rajonit drejt politikave të BE-së në fushën e ruajtjes së mjedisit, energjisë dhe disa fusha tjera.RFE