Banka Qendror e Kosovës (BQK) mirëpret vlerësimet pozitive të Komisionit Evropian i cili konfirmon se sektori financiar ka ruajtur qëndrueshmëri të lartë, kapitalizim të mjaftueshëm dhe avancim të dukshëm në harmonizimin me standardet e Bashkimit Evropian.
Raporti thekson se bankat në Kosovë operojnë me nivele të larta kapitali dhe likuiditeti, ndërsa kreditë jo performuese mbeten në nivel minimal historik. Vlerësohet gjithashtu miratimi i rregullores për shtesat makroprudenciale të kapitalit dhe planit për zbatimin e SREP, në përputhje me udhëzimet e EBA-s.
Në fushën e pagesave, Raporti i Progresit nënvizon miratimin e Ligjit për Shërbimet e Pagesave, anëtarësimin e BQK-së në EACHA dhe rritjen e ndjeshme të pagesave elektronike, si dhe zgjerimin e shërbimeve financiare në komunat veriore.
Komisioni vlerëson masat e ndërmarra kundër falsifikimit të euros, progresin në digjitalizim dhe financa të qëndrueshme, forcimin e qasjes në financim për NVM-të përmes FKGK, si dhe përparimet në kornizën AML/CFT dhe ligjin për Kripto-Asetet, duke kaluar në mbikëqyrje të bazuar në rrezik.
Raporti njeh gjithashtu forcimin e qeverisjes së brendshme të BQK-së, përfshirë riorganizimin institucional, politikat e avancuara të burimeve njerëzore dhe krijimin e divizionit të sigurisë kibernetike.
Krahas vlerësimeve pozitive, KE rekomandon avancimin e mbledhjes së të dhënave financiare, zhvillimin e kornizës për rimëkëmbjen bankare dhe përmirësimin e infrastrukturës së tregut financiar.
BQK riafirmon përkushtimin për të vazhduar reformat dhe përafrimin e plotë me acquis të BE-së, duke falënderuar Komisionin Evropian për vlerësimin dhe bashkëpunimin./KP
