Raporti i fundit i Parlamentit Evropian për vitin 2025, i përgatitur nga raportuesi Riho Terras, pasqyron një situatë komplekse për Kosovën, duke e cilësuar periudhën e kaluar si një “vit të humbur” për shkak të ngërçit të gjatë politik që paralizoi reformat kyçe.
Sipas dokumentit që pritet të votohet si rezolutë, dështimi për të krijuar institucionet pas zgjedhjeve dhe vonesat në zgjedhjen e Presidentit kanë penguar zbatimin e projekteve strategjike, përfshirë Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, pavarësisht se proceset zgjedhore u vlerësuan si paqësore dhe demokratike.
Në rrafshin e sundimit të ligjit, raporti shpreh shqetësim serioz për rënien e Kosovës në Indeksin Global të Korrupsionit dhe veçanërisht për lirinë e medias, ku vendi ka pësuar një rënie drastike prej 24 pozitash në rangimin botëror.
Eurodeputetët bëjnë thirrje për mbrojtjen e pavarësisë së institucioneve dhe ndaljen e presioneve ndaj gazetarëve, ndërkohë që kërkojnë progres më të shpejtë në reformën e drejtësisë dhe kompletimin e këshillave gjyqësorë e prokurorialë.
Kritika të veçanta janë drejtuar edhe ndaj varësisë së lartë nga energjia me qymyr dhe nivelit të ulët të digjitalizimit të shërbimeve publike, që mbetet në shifrën prej 10 për qind.
Pavarësisht këtyre sfidave, Parlamenti Evropian vlerëson lart rreshtimin e palëkundur të Kosovës me politikat e jashtme të Bashkimit Evropian, duke përfshirë sanksionet ndaj Rusisë. Si rrjedhojë, raporti kërkon heqjen e menjëhershme të të gjitha masave ndëshkuese të mbetura ndaj Kosovës, me arsyetimin se ato nuk janë më të justifikuara dhe po dëmtojnë direkt shoqërinë civile e bizneset e vogla.
Njëkohësisht, pesë shteteve mosnjohëse të BE-së u kërkohet të lëvizin drejt njohjes së pavarësisë, për të siguruar trajtim të barabartë të Kosovës në procesin e integrimit.
Sa i përket marrëdhënieve me fqinjët, dokumenti thekson se dialogu me Serbinë ka mbetur pothuajse i pezulluar gjatë vitit 2025 dhe kërkon angazhim konstruktiv për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit.
Raporti rithekson domosdoshmërinë e sjelljes para drejtësisë të autorëve të sulmit në Banjska, duke kritikuar Serbinë për mungesë të ndjekjes penale ndaj përgjegjësve kryesorë.
Në mbyllje, theksohet se ardhmëria e Kosovës mbetet brenda familjes evropiane, por kjo kërkon një vrull të ri reformash dhe një stabilitet të qëndrueshëm politik për të rikuperuar kohën e humbur.
