Sipas një raporti të ri të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) të publikuar të mërkurën, synimi i Kombeve të Bashkuara për t’i dhënë fund urisë në botë deri në vitin 2030 është i vështirë për t’u arritur, pasi luftërat, ndryshimet klimatike dhe kriza ekonomike po e pamundësojnë.
Në raport thuhet se uria kronike është në nivel të lartë dhe se ushqimi i shëndetshëm është jashtë mundësive për shumicën e popullsisë. Aty thuhet mes tjerash se rreth 733 milionë njerëz u përballën me uri në vitin 2023, diku një në 11 njerëz në mbarë botën. Veçanërisht në Afrikë situata është e rëndë, me një në pesë njerëz që po përballen me uri.
Ky raport i cili u realizua nga pesë agjenci të OKB-së, u prezantua për samitin e ardhshëm të G20-së në Brazil dhe sugjeroi që reforma e financimit të sigurisë ushqimore dhe të ushqyerjes është e nevojshme për të reduktuar urinë globale.
Nëse trendet aktuale vazhdojnë, rreth 582 milionë njerëz do të jenë të kequshqyer kronikisht deri në fund të dekadës, gjysma e tyre në Afrikë, paralajmëroi raporti.
“Ne jemi në një situatë më të keqe sot se nëntë vjet më parë kur filluam qëllimin për të zhdukur urinë deri në vitin 2030”, tha David Laborde, një ekonomist në Organizatën e Ushqimit dhe Bujqësisë dhe një nga autorët e raportit.
“Unë mendoj se ne mund të bëjmë më shumë për të realizuar këtë premtim për të jetuar në një planet ku askush nuk është i uritur”, shtoi ai./UBTNews/