UBT News

Raporti i OKB-së: Pesë gra vriten çdo orë nga një anëtar i familjes

Sipas një raporti të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) të publikuar të mërkurën, të paktën 45 mijë gra dhe vajza në mbarë botën u vranë nga partnerët ose anëtarët e familjes në vitin 2021.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC) dhe UN Women thanë se kjo shifër nënkupton se më shumë se pesë gra dhe vajza vriten çdo orë nga ndonjë anëtar i familjes së tyre.

Sipas raportit, megjithëse gjetjet mbi femicidin janë të larta, shifrat reale mund të jenë edhe më të larta.

“Shtëpia s’është vend i sigurt”

Sipas OKB-së, rreth 81 mijë e 100 gra dhe vajza u vranë qëllimisht vitin e kaluar.

“Nga të gjitha vrasjet me dashje që u kryen vitin e kaluar, rreth 56% u kryen nga partnerët intimë ose anëtarët e tjerë të familjes… duke dëshmuar se shtëpia nuk është një vend i sigurt për shumë gra dhe vajza”, thanë zyrat e OKB-së.

Raporti vë në pah se gratë dhe vajzat janë veçanërisht të prekura nga dhuna me bazë gjinore në shtëpitë e tyre. Tutje thuhet se numri më i lartë i femicideve në vitin 2021 u regjistrua në Azi, me rreth 17 mijë e 800 viktima. Afrika është kontinenti i dytë më vdekjeprurës kur bëhet fjalë për dhunën në familje ndaj grave dhe vajzave, me 17 mijë e 200 viktima të regjistruara, sipas raportit të OKB-së./UBTNews/

Exit mobile version