Rusia po bëhet më agresive dhe më e suksesshme duke shtuar sulmet kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera, thuhet në një raporti të ri të kompanisë Microsoft.
Raporti i Mbrojtjes Dixhitale i kompanisë Microsoft për vitin 2021 pohon se “aktorët shtetërorë rusë” janë përgjegjës për 58% të të gjitha sulmeve kibernetike të kryera ndaj qeverive e vendeve në botë dhe se janë të suksesshëm në gati 1/3 e përpjekjeve.
“Grupet me bazë në Rusi kanë forcuar pozicionin e tyre duke u bërë kërcënim akut për ekosistemin digjital global”, raporti i Mbrojtjes Digjitale i kompanisë Microsoft.
Raporti paralajmëron se aktorët kibernetikë rusë kanë përmirësuar aftësitë e tyre për t’u përshtatur me ndryshime në teknologji dhe kjo po i bën gjithnjë e më të vështira përpjekjet “për t’i zbuluar ata.”
Sipas Microsoft, objektivi më i shpeshtë i Rusisë janë Shtetet e Bashkuara, të pasuara nga Ukraina dhe Britania e Madhe, ndërsa Moska tani po përqendrohet më shumë në mbledhjen e informacioneve të zbulimit. Më shumë se gjysma e sulmeve kibernetike ruse tani vënë në shënjestër agjencitë e përfshira në politikën e jashtme, sigurinë kombëtare dhe mbrojtjen, nga vetëm 3% që ishte një vit më parë.
Raporti thotë se pas Rusisë, numri më i madh i sulmeve kibernetike u realizuan nga Koreja e Veriut, Irani dhe Kina. Objektivi kryesor i Koresë së Veriut ishin kompanitë e kriptomonedhave. Irani katërfishoi sulmet e tij ndaj Izraelit, ndërsa tensionet midis dy vendeve u rritën në mënyrë të vazhdueshme. Kina gjithashtu ishte aktive, duke u përqendruar në përpjekjet e saj kibernetike në mbledhjen e informacioneve të zbulimit.