UBT News

Raporti i mbrojtjes së Japonisë: Lufta e Rusisë mund të krijojë precedent në Tajvan

Japonia paralajmëroi se pushtimi rus i Ukrainës mund të krijojë precedent për ambiciet e Kinës në Tajvan, të cilën Pekini e sheh si një provincë renegate që do të ribashkohet me kontinentin.

Në raportin vjetor të mbrojtjes që u publikua të premten, qeveria japoneze e quajti luftën e Rusisë “shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare” që ka degëzime të gjera.

“Rivalitetet politike, ekonomike dhe ushtarake midis kombeve janë të qarta, dhe sfida që i paraqitet rendit ndërkombëtar është një çështje globale”, thuhej në raport.

Raporti e identifikoi Rusinë si një prej kërcënimeve kryesore për rendin ndërkombëtar, krahas Kinës dhe Koresë së Veriut. Sipas raportit, pushtimi rus i Ukrainës rrezikon t’u dërgojë mesazhin vendeve të tjera “se një përpjekje për të ndryshuar në mënyrë të njëanshme status quo-në me forcë është e pranueshme”.

Gjithashtu paralajmëroi se Rusia mund të mbështetet gjithnjë e më shumë në kapacitetin e saj bërthamor si një parandalues, gjë që mund të nënkuptojë një rritje të aktivitetit rreth Japonisë, ku nëndetëset bërthamore ruse janë në mënyrë rutinore aktive.

Kryeministri japonez, Fumio Kishida pritet të rrisë fondet e mbrojtjes muajin e ardhshëm, ku aktualisht Japonia ka raportin më të ulët të shpenzimeve ushtarake ndaj PBB-së në mesin e vendeve të G7-ës, plus Australia dhe Korea e Jugut.

Në përgjigje të raportit, Ministria e Jashtme e Kinës tha të premten se ai “ngre akuza dhe njollos politikën e mbrojtjes së Kinës, zhvillimin ekonomik të tregut dhe aktivitetet legjitime detare”./UBTNews/

Exit mobile version