Gazetarët e huaj në Kinë përballen me “pengesa të paprecedentë” ndërsa liria e medias bie me “shpejtësi të jashtëzakonshme”, thuhet në një raport të ri, pikërisht në kohën kur Pekini përgatitet të presë Lojërat Olimpike Dimërore.
Nëntëdhjetë e nëntë për qind e gazetarëve që iu përgjigjën një sondazhi vjetor të Foreign Correspondents’ Club of China thanë se “kushtet e raportimit nuk plotësonin ato që ata konsideronin si standarde ndërkombëtare”.
Zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Kinës ka thënë më parë se organizata që përfaqëson gazetarët e huaj ishte “ilegale”.
Gazetarët thanë se pandemia COVID-19 është përdorur shpesh nga autoritetet për t’i bllokuar ata nga raportimi ose për të vonuar miratimin e vizave për gazetarët e huaj.
Më shumë se gjysma e gazetarëve të huaj të anketuar thanë se ishin detyruar të largoheshin nga një vend ose u ishte mohuar aksesi për shkak të masave shëndetësore dhe 46% e të anketuarve thanë se zyrat e tyre kishin mungesë të personelit sepse nuk mund të sillnin gazetarë të rinj.
Më shumë se 60% e të anketuarve thanë se u penguan nga policia ose zyrtarët (të paktën një herë) dhe gati 90% e gazetarëve që udhëtuan në Xinjiang në vitin 2019 pas qendrave të ndalimit masiv të ujgurëve dhe myslimanëve në rajon, ishin penguar gjithashtu, sipas raportit.
Më shumë se një e katërta e të anketuarve thanë se burimet e tyre ishin “ngacmuar, ndaluar ose thirrur për t’u marrë në pyetje nga policia më shumë se një herë”.
Klubi i korrespondentëve tha se autoritetet kineze po inkurajonin gjithnjë e më shumë padi kundër gazetarëve të huaj, duke shtuar se një pjesë e vogël e korrespondentëve të huaj ishin larguar për shkak të ngacmimeve.
Kina po përgatitet për Lojërat Olimpike Dimërore 2022, edhe pse shumë vende, përfshirë SHBA-në, Kanadanë dhe disa vende evropiane, thonë se nuk do të dërgojnë një prani diplomatike, pasiqë sipas tyre, Kina ka abuzuar duke shkelur të drejtat e njeriut./UBTNews/