Një raport i botuar nga revista amerikane, Forbes, ka gjetur një lidhje midis punonjësve në firmën e teknologjisë ByteDance, e cila është gjithashtu kompania mëmë e platformës së mediave sociale TikTok, dhe shtëpive mediatike kineze të mbështetura nga shteti.
Forbes shqyrtoi një numër të profileve publike të LinkedIn për të arritur në këtë përfundim.
Agjencia e Lajmeve Xinhua, Radio Ndërkombëtare e Kinës dhe Televizioni Global i Kinës Qendrore/Kina janë shtëpitë mediatike kineze me të cilat thuhet se kanë qenë të lidhur këta punonjës të ByteDance.
Raporti i referohet atyre si “krahu i propagandës së qeverisë kineze”.
Rreth 23 drejtorë të ByteDance kishin punuar më parë në role të ndryshme drejtuese, përfshirë “bashkëpunimin mediatik”, në këto organizata. 15 punonjës të ByteDance raportohet se po punojnë gjithashtu njëkohësisht për kompaninë si dhe për këto shtëpi mediatike të sponsorizuara nga shteti. Një ish-menaxher i strategjisë së përmbajtjes për TikTok është aktualisht korrespondenti kryesor i Xinhua News, sipas raportit.
Lidhur me këtë çështje, Forbes foli edhe me zëdhënësen e ByteDance, Jennifer Banks, ku tha se punësime të tilla bëheshin rreptësisht mbi bazën e meritave profesionale. Ajo shtoi më tej se punonjës nga prejardhje të ndryshme, përfshirë politikat publike, qeverinë dhe të tjerët, sjellin përvoja të ndryshme.
Megjithatë, lidhur me raportimin se disa punonjës punonin dy vende pune në të njëjtën kohë, Banks tha se kompania “nuk i lejon punonjësit të kryejnë punë të dyta ose me kohë të pjesshme, apo ndonjë aktivitet të jashtëm biznesi, që do të shkaktonte konflikt interesi”.
TikTok ka ndikuar gjerësisht në peizazhin e mediave sociale amerikane dhe në vitin 2019, ish-presidenti amerikan Donald Trump, së bashku me një numër politikanësh amerikanë, kishin bërë thirrje që platforma të ndalohej në vend./UBTNews/