Procesi i rekrutimit të pozitave të larta në institucionet e administratës shtetërore ka probleme serioze, sipas raportit që u publikua të enjten nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP).
Në bazë të këtij raporti në periudhën 2021-2022, në administratën shtetërore nga 22 procedura të rekrutimit vetëm gjashtë janë përmbyllur me sukses. Sipas tyre shqetësuese është që rreth 65 për qind e pozitave drejtuese civile në ministri janë me ushtrues detyre.
Hulumtuesja në GLPS, Ema Pula, tha se rekrutimi në institucionet e administratës shtetërore ka efikasitet të ulët. Por ajo tha se e kundërta qëndron tek agjencitë e pavarura, ku nga gjashtë procedura të hapura katër janë përfunduar.
“Te institucionet e administratës shtetërore në rekrutimin e pozitave të larta drejtuese kanë treguar efikasitet të ulët. Nga 22 procedura të hapura vetëm gjashtë janë të përfunduara që në përqindje përkthehet në 27 për qind. Tek agjencitë e pavarura në rekrutimin e pozitave të larta drejtuese kanë treguar një efikasitet të lartë nga gjashtë procedura të hapura katër janë përfunduar që në përqindje është rreth 66 për qind. Në përgjithësi këto gjetje tregojnë se agjencitë e pavarura kanë qenë më efikase se institucionet e administratës shtetërore në procedurat e rekrutimit. Po ashtu del në pah se ka hapësira për përmirësim në të dy rastet…Tek përsëritja e procedurave të rekrutimit në administratën shtetërore dhe agjencitë e pavarura analiza ka shpërfaq disa dështime të shpeshta të procedurave të rekrutimit në dy fazat e procedurës atë të verifikimit paraprak të listës së ngushtë si dhe në vlerësimin e kandidatëve gjë që ka dërguar në përsëritjen e tyre. Shumica e dështimeve janë si pasojë e mungesës së numrit minimal të dy kandidatëve për të përfunduar një nga fazat e procedurës. Është shqetësuese përsëritja e shpeshtë e procedurës”, tha ajo.
Ndërkaq, hulumtuesja tjetër në GLPS, Donika Çeta, tha se shqetësuese është edhe numri i ulët i aplikimeve në procesin e rekrutimit në pozitat e larta drejtuese. Ajo shtoi se anulimet e shpeshta të procedurave dhe mospërfillja e ligjit për emërimin e kandidatit fitues e rrisin mosbesimin te qytetarët për të kandiduar.
“Kjo analizë ka sjell shqetësim serioz në numrin e ulët të aplikimit në procesin e rekrutimit në pozitat e larta drejtuese. Në 28 procedura të brendshme si në institucionet e administratës shtetërore dhe agjencitë e pavarura 53 aplikantë që kanë plotësuar kriteret e kërkuara në shpallje. Nga kjo rrjedhë si mesatare 1.9 kandidatë për procedurë e që është shumë një numër i vogël për të vazhduar procedura….Është shqetësuese se pozitat vakante vazhdojnë të mbahen me ushtrues detyre edhe pse kemi kandidatë fitues të cilët presin për emërim, për më keq rasti është në Zyrën e Kryeministrit dhe Ministrinë e Zhvillimit Rajonal”, tha ajo.
Krahas këtyre ato rekomanduan që të rritet transparenca për procesin e rekrutimit në pozitat drejtuese të administratës dhe të zbatohet me kujdes dispozitat e Ligjit për zyrtarët publik.