Sipas një raporti të ri, personat me nevoja të veçanta janë më të goditurit nga kriza e kostos së jetesës, për shkak të të ardhurave relativisht të ulëta.
Fondacioni Resolution, një institut i pavarur, njoftoi se më shumë se 40 për qind e njerëzve me nevoja të veçanta nuk mund t’i ngrohin as shtëpitë e tyre krahasuar me 23 për qind të popullsisë tjetër. Ndërkohë, gati një në tre persona me aftësi të kufizuara është detyruar t’i reduktojë shpenzimet për ushqim.
“Njerëzit me aftësi të kufizuara janë goditur jo vetëm nga rritja e shpejtë e çmimeve të energjisë, por edhe nga rritja e çmimeve të ushqimeve. [Ata] kanë më shumë gjasa të shqetësohen për koston e gjërave thelbësore dhe të thonë se kriza po e përkeqëson shëndetin e tyre”, thuhet në raport.
Norma e inflacionit në Mbretërinë e Bashkuar është aktualisht mbi 10 përqind – niveli më i lartë që nga vitet 1980./UBTNews/