UBT News

Raport: Ndotja e ajrit ndikon në çdo fazë të jetës

Ndotja e ajrit ndikon në çdo fazë të jetës së njeriut, që nga zhvillimi i fetusit dhe aftësitë njohëse të adoleshentëve deri te shëndeti mendor i të rriturve, sipas një raporti që sintetizon gjetjet e më shumë se 35 mijë studimeve nga e gjithë bota.

Grupi i Kërkimeve Mjedisore në Imperial College të Londrës publikoi të hënën rishikimin e një dekade studimesh shkencore mbi ndotjen e ajrit.

Ekipi i universitetit të Londrës shqyrtoi gjetjet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), Komiteti i Mbretërisë së Bashkuar për Efektet Mjekësore të Ndotjes së Ajrit, Kolegji Mbretëror i Mjekëve, Instituti i Efekteve Shëndetësore dhe Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin.

“Zbulimi i ri më i rëndësishëm është prova që lidhet si me ndikimin e ndotjes së ajrit në shëndetin e trurit, përfshirë shëndetin mendor dhe demencën, ashtu edhe me ndikimet e hershme të jetës që mund të çojnë në ngarkesa shëndetësore në të ardhmen brenda popullatës”, thuhet në raport.

“Të dyja paraqesin kosto të konsiderueshme, por aktualisht të paqarta për shoqërinë dhe ekonominë”, shtoi ai.

Rishikimi gjeti lidhje mes ndotjes së ajrit dhe shëndetit të të porsalindurve në javët e para të jetës, peshës së lindjes, abortit dhe lindjeve të vdekura./UBTNews/

Exit mobile version