Më shumë se gjysma e popullsisë së botës do të jetë mbipeshë ose obeze deri në vitin 2035 nëse qeveritë nuk ndërmarrin veprimet e duhura për të parandaluar këtë epidemi, paralajmëroi një raport.
Rreth 2.6 miliardë njerëz në mbarë botën apo 38% e popullsisë së botës, janë tashmë mbipeshë ose obezë. Por sipas hulumtimit të Federatës Botërore të Obezitetit, në tendencat aktuale, numri i njerëzve që vuajnë nga mbipesha do të rritet në më shumë se 4 miliardë njerëz (51%) brenda 12 vjetësh.
Nëse nuk përdoren taktikat sikurse taksimi apo kufizimi i promovimit të ushqimeve të pashëndetshme, numri i njerëzve që janë klinikisht obezë do të rritet nga një në shtatë sot në një në katër deri në vitin 2035. Nëse ndodhë ashtu, afërsisht dy miliardë njerëz në të gjithë botën do të jetojnë me obezitet.
Obeziteti te fëmijët dhe të rinjtë mund të zhvillohet më shpejt sesa te të rriturit. Deri në vitin 2035 pritet të jetë të paktën dyfishi i normës së vitit 2020, sipas raportit të fundit vjetor të Federatës Botërore të Obezitetit, Atlas.
Pritet të rritet me 100% në mesin e djemve nën 18 vjeç, duke lënë 208 milionë të prekur, por do të rritet edhe më shumë – me 125% – te vajzat e së njëjtës moshë, që nënkupton 175 milionë prej tyre do të preken./UBTNews/