Pas një rrugëtimi prej dy dekadash e gjysmë në krye të subjektit që ai vetë e themeloi, Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Ky vendim për partinë u bë publik pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të AAK-së, ku njëkohësisht u mor vendimi për shpalljen e zgjedhjeve të brendshme në të gjitha nivelet organizative.
Haradinaj në një konferencë për media, ka bërë të ditur se nuk do të jetë kandidat për kryetar në procesin e ardhshëm zgjedhor, duke cituar si arsye kohën e gjatë në udhëheqje dhe rezultatin e fundit zgjedhor, ndonëse theksoi se ky vendim do të vinte pavarësisht shifrave të votave.
Ai u shpreh para kolegëve se ka besim të plotë te njerëzit e AAK-së dhe u zotua se do t’i shërbejë partisë dhe kryetarit të ri gjatë gjithë jetës, duke e cilësuar dorëheqjen e tij si një hap që ngjall shpresë për subjektin.
Menjëherë pas këtij zhvillimi, Ardian Gjini ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për të marrë postin e kryetarit të AAK-së. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e formuar në vitin 2000, për herë të parë që nga themelimi i saj do të hyjë në një proces zgjedhor pa emrin e Ramush Haradinajt si pretendent për postin e të parit të partisë.
