Kuvendi Komunal i Deçanit ka mbajtur mbledhjen inauguruese në të cilën është betuar kryetari Bashkim Ramosaj dhe anëtarët e zgjedhur të kuvendit. Ramosaj ka thënë se edhe për katër vjet do të punojë në realizimin e ëndrrës së qytetarëve të kësaj komune për një Deçan më të zhvilluar.
Bashkim Ramosaj i cili ka udhëhequr me këtë komunë edhe gjatë katër viteve të fundit, ka thënë se përpara e kanë edhe një mandat sfidues.
“Uroj që Deçani, pavarësisht sfidave, pavarësisht padrejtësive që i kanë ndodhur këtij qyteti mos me u ndal në ëndrrën e tij për një qytet që e meritojmë. Do të jenë sfiduese prap se prap këto katër vite, ndoshta më sfiduese se katër vitet që i kemi lënë pas për shkak të stadit dhe të konceptit që Deçani duhet me dalë me një stad tjetër, që nuk është aspak e lehtë që kërkon përkushtim dhe kërkon profesionalizëm e së pari kërkon mirëkuptim të të gjithë neve që jemi prezent me punë, me kompetencë, e normal edhe prej qytetarëve dhe çdo kategorie specifike, qofshin shoqëri civile, qofshin mekanizma institucional të nivelit lokal e qendror e sidomos përkrahjen e qytetarëve që këtë me bë realitet”, ka thënë Ramosaj.
Kryetari i Deçanit ka falënderuar të gjithë qytetarët që e kanë mbështetur duke i besuar edhe një mandat në krye të kësaj komune.
“Unë do jem i gatshëm për këtë sfidë, kam qenë i gatshëm gjithmonë për këtë sfidë, me këtë qëllim edhe kam konkurru dhe dua t’i falënderoj të gjithë qytetarët e Deçanit për besimin e dhënë, sidomos dua të falënderoj të gjithë qytetarët e komunës së Deçanit për maturinë dhe përpjekjen që e kanë në politikë, pavarësisht cilit subjekt politik i takojnë”, ka thënë ai.
Bashkim Ramosaj ka dalë fitues në zgjedhjet e 17 tetorit më 65.87 përqind të votave. Në fillim të kësaj mbledhje u mbajt një minutë heshtje për tre viktimat të cilët ditë më parë u vranë në Gllogjan.