UBT News

Rama: Vendimi për ndërprerjen e projektit në shesh nuk është i mbështetur ligjërisht

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se vendimi për ndalimin e punimeve në sheshin “Xhorxh Bush” është i paligjshëm dhe i pambështetur në argumente juridike. Ai tha se institucionet që morën këtë vendim po ndikohen nga qëllime politike, edhe pse duhet të veprojnë në mënyrë të pavarur.

“Për herë të dytë janë ndërprerë punimet në një projekt të planifikuar për transformimin e hapësirës publike. Arsyetimet për këtë ndërhyrje nuk qëndrojnë në bazë ligjore dhe nuk janë ngritur nga palët përkatëse,” tha Rama në një konferencë për media.

Ai theksoi se projekti ka për qëllim përmirësimin e hapësirës publike dhe integrimin e trashëgimisë kulturore në zhvillimin urban të qytetit.

“Ka munguar përgjigjja nga Ministri për një debat publik për këtë çështje, edhe pse kemi qenë të hapur për diskutim,” shtoi ai.

Rama njoftoi se Komuna e Prishtinës do të ndjekë rrugë ligjore ndaj veprimeve që, sipas tij, bien ndesh me ligjin.

“Kryeqyteti do të vazhdojë procedurat ligjore ndaj të gjithë atyre që shkelin ligjin,” përfundoi ai.

Exit mobile version