UBT News

Rama: Të mos humbasim mundësinë nga plani i rritjes së BE-së

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se mes vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të vendoset gjithmonë paqja, pasi në të kundërtën rrezikohet integrimi në Bashkimin Evropian.

Rama, në fjalën hyrëse të Samtit BE-Ballkan Perëndimor, i cili po mbahet në Tiranë, tha se ekonomitë e gjashtë vendeve të rajonit nuk mund të lulëzojnë duke penguar lëvizjen ekonomike të njëra-tjetrës.

“Në planin e rritjes në fuqi, domosdoshmëria është e qartë, ose do të marrin masat e nevojshme që të ecim përkrah njëri tjetrit ose të dështojmë. T’u japim qytetarëve tanë rrugën drejt BE. Ekonomitë tona nuk mund të lulëzojnë duke penguar lëvizjen ekonomike të njëra-tjetrës. Ose bëjmë paqe për të punuar për begatinë tonë, ose kjo mungesë do na bëjë që të humbasim paqen…Më vete jemi të gjithë të vegjël. Së bashku mbartim rëndësi. Si mund të bëhemi më të lirë dhe më të mëdhenj nëse kamionët tanë duhet të presin ende 26 orë në ditë. Si mund të heqim këto barriera? A mos jemi dembelë? Të çmendur? Budallenj, apo çfarë jemi? A nuk është ende e qartë për secilin prej nesh se nuk ka rrugë të shkurtër për në BE”, tha Rama.

Ai theksoi se vendet e rajonit duhet të lënë pas problemet e së shkuarës dhe të merren me të ardhmen, derisa edhe kujtoi nisjen e Procesit të Berlinit.

“Unë e pranoj se ndryshe nga Shqipëria disa nga vendet e rajonit përballen me çështje komplekse midis tyre, megjithatë bëj thirrje t’i lëmë pas këto. Çështjet dypalëshe duhen zgjidhur përmes bashkëpunimit dhe dialogut dypalësh. 10 vjet më parë, udhëheqësit e BP u takuan në zyrën e kancelares në Berlin. Objektivi nuk ishte për t’u marrë me plagët e së shkuarës, por me të ardhmen. Gjatë këtyre 10 vjetëve Procesi i Berlinit na ka dëshmuar se sa më e lehtë të thuash se të bësh është sigurimi i lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit”, tha Rama.

Krahas kësaj, Rama vlerësoi siç tha Bashkimin Evropian, për mundësitë që përmes Planit të Rritjes po i jep Ballkanit Perëndimor.

“Falenderues për presidenten e KE-së, për Varhelyi për gatishmërinë e tyre për të dëgjuar shqetësimet tona, lidhur me arsyen se pse BE duhet të gjejë rrugë të reja për të na ndihmuar në rrugëtimin tonë. Është e qartë se mundësia e re që përfaqëson ky plan është jo vetëm pjesë e përpjekjeve tona prej një dekade për një të ardhme të përbashkët por na sfidon për të dëshmuar për gatishmërinë tonë për fatin e përbashkët evropian. Mundësitë mund të merren ose humben, ne duhet të angazhohemi pa asnjë rezervë, hezitim, apo kufizime apo shtrëngime por që të përfitojmë nga kjo mundësi”, u shpreh Rama.

Exit mobile version