Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, bashkë me përfaqësues të organizatave të dala nga lufta, kanë bërë homazhe pranë shtatores së heroit Zahir Pajaziti, në kuadër të shënimit të 18 prillit – Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Prishtinës.
Në këtë ditë nderimi, kreu i kryeqytetit theksoi rëndësinë e kujtimit të sakrificës së dëshmorëve dhe heronjve që dhanë jetën për lirinë e vendit.
“18 prilli është Dita e Dëshmorëve të Prishtinës. Sot, si çdo vit, bëjmë homazhe në të gjitha pjesët e qytetit për të nderuar dëshmorët dhe heronjtë tanë. Është një ditë për të shprehur respektin më të thellë edhe për familjet e tyre, për sakrificën e jashtëzakonshme që kanë dhënë për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë që ne e gëzojmë sot,” deklaroi Rama.
Ai ishte i shoqëruar nga komandanti Sopi dhe bashkëluftëtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët bashkërisht përkulën para kujtimit të atyre që ranë për atdheun.