Në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) është mbajtur ceremonia për zbarkimin e kontingjentit të FSK-së për misionin e parë paqeruajtës në botë, ku do të jenë në krah të ushtrisë amerikane në Kuvajt.
Në fjalë rasti, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama tha se dita e sotme është historike.
“Sot është ditë historike për Kosovën. Sot Kosova zyrtarisht po bëhet kontribuuese e misionit të paqes përkrah partnerëve dhe miqve tanë. Kjo e arritur është falë pjesëtarëve të FSK-së, jam krenar që jam komandant i Forcës”, tha ai.
Komandanti i FSK-së tha se po zbarkojnë në një mision fisnik.
“Të dashur ushtarë të FSK-së, ju jeni duke zbatuar një mision fisnik në mbështetje të paqes, do të jeni krenar pasi që në këtë mision jetësoni një synim tonin për të cilën shumë gjenerata sakrifikuan. Jam i bindur që do të shërbeni me profesionalizëm dhe do të përfaqësoni Kosovën me dinjitet”, tha gjeneral Rama.
Një kontingjent i Forcës do të qëndrojë së paku gjashtë muaj në Kuvajt me Gardën Kombëtare të Iowa-s për mision paqeruajtës në shtetin e Kuvajtit.