Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi sot se mbajtja e samitit Ukraina-Evropa Juglindore në Tiranë dëshmon përkushtimin e këtij rajoni për zgjidhjen e problemit të luftës në Ukrainë, teksa i ka bërë thirrje Rusisë që të ndalojë agresionin ushtarak të nisur në shkurt 2022. Ai këto komente i bëri në një konferencë të përbashkët me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, pas samitit “Ukrainë – Evropa Juglindore” sot në Tiranë.
Rama theksoi se Vladimir Putin donte ta fshinte Ukrainën nga harta për çështje ditësh, por sot Ukraina është më shumë se kurrë e ankoruar në Evropë.
“Kjo është një luftë që as Ukraina e as bashkësia jonë e kombeve me të njëjtën qëndrim nuk e zgjodhën, një katastrofë e ngjizur nga zgjedhja e vendimi i vetëm një njeriu, i drejtuar nga një ëndërr e vjetër e një të shkuare perandorake. Prania juaj këtu është po kështu një kujtesë që ai nuk ia ka dalë dhe që pavarësisht fuqisë së saj ushtarake dhe propagandës toksike, Rusia neoimperialiste nuk ia ka dalë të përmbysë qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të Ukrainës, nuk ia ka dalë të shtypë vullnetin e popullit të Ukrainës, të jetojë në një atdhe të lirë, të pavarur dhe demokratik. Nuk ia ka dalë të shtypë të vërtetën. Kontrasti nuk mund të jetë më i fortë sesa kaq. Vladimir Putin donte ta fshinte Ukrainën nga harta për çështje ditësh, por sot Ukraina është më shumë se kurrë e ankoruar në Evropë e besoj edhe më besim plotë se kurrë për fatin e vet evropian”, ka thënë Rama.
Kryeministri Rama ka theksuar se mbajtja e samitit Ukraina-Evropa Juglindore dëshmon përkushtimin e këtij rajoni për zgjidhjen e problemit të luftës në Ukrainë, teksa i ka bërë thirrje Rusisë që të ndalojë agresionin ushtarak të nisur në shkurt 2022.
“Sapo kemi shënuar përvjetorin e dytë të zymtë, të sulmit në shkallë masive të Rusisë kundër Ukrainës dhe kryeqytetit të saj Kievit dhe jemi këtu të përtërijmë solidaritetin dhe mbështetjen për Ukrainën dhe popullin e saj dhe juve zoti president e të gjithë atyre që vuajnë sot në Ukrainë. Duam po kështu të përtërijmë thirrjen tonë për Rusinë të ndalë këtë luftë. Duam të përtërijmë angazhimin tonë ndaj paqes, një paqeje të drejtë e mbështetur në Kartën e Kombeve të Bashkuara, të së drejtës ndërkombëtare e rezolutave të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Një paqe që respekton Ukrainën dhe të drejtat e saj. Mblidhemi këtu për të rikonfirmuar se mbetemi të bashkuar në përgjigjen tonë, mbetemi të vendosur krah Ukrainës përballë kërcënimit, një kërcënimi mjaft real ndaj sigurisë së Evropës dhe rendit global”, ka thënë Rama.
Ai tha se Ukraina e lirë varet nga ndihma financiare dhe ushtarake e vendeve ndërkombëtare dhe kërkoi që në këtë drejtim të mos ketë vonesa.
“Mos u gaboni! Ukraina nuk po lufton veç për veten, por për gjithçka në ne cilën besojmë, qëndrojmë dhe punojnë. Ka atje tej disa oportunist cinik se të ndihmosh Ukrainën në qëndresën e saj ndaj ushtrisë pushtuese, pengon kauzën e paqes, por atyre do t’u them sot se mënyra për t’i dhënë fund luftës nuk është të çarmatosim viktimën, por të ndalim agresorin në agresionin e tij. Të shpërblesh një agresor, i cili anekson territoret e një vendi sovran duke çarmatosur viktimën e agresionit nuk sjell paqe, por shtron terrenin për më shumë luftë. Të ndalosh Ukrainën në vend që të ndalosh Vladimir Putinin e shndërron paqen mbështetur në shpërblim për agresion një bazë legjitimimi të një agresioni të mëtejshëm dhe e shndërron botën tonën tonë në një vend të sunduar nga fuqia, jo nga të drejtat”, ka thënë Rama.
Kryeministri Rama theksoi se Ballkani Perëndimor duhet të qëndrojë i bashkuar në mbështetje të Ukrainës dhe nuk duhet lejuar Rusinë të fitojë luftën, pasi që një rezultat i tillë do të ishte i papërballueshëm dhe e gjithë ekzistenca e BE do të ishte në rrezik.
“Shqipëria ka bërë atë çka mundet e do të vazhdojë ta bëjë një gjë të tillë. Deklarata e përbashkët që nënshkruam sot në mbështetje të integrimit euroatlantik të Ukrainës, do të forcojë më tej marrëdhëniet tona dhe vendosmërinë për të vazhduar e qëndruar krah Ukrainës. Së fundmi, për shumë ato kombe të vogla si ne që nuk duan të kthehen ushqim për oreksin imperialist të Rusisë, kemi nevojë për qartësi absolute rreth Ukrainës, kemi nevojë për solidaritet të palëkundur me Ukrainën e kemi nevojë për një vendosmëri të përbashkët për të mbështetur Ukrainën”, ka thënë Rama.