Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i paraqiti sot presidentit të Republikës, Bajram Begaj propozimin për emërimin e Vlora Hysenit si drejtoreshë e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH).
Kreu i ekzekutivit shqiptar, përmes një statusi në Facebook, u shpreh se Hyseni ka eksperiencën dhe përgatitjen e duhur për këtë pozitë.
“Me besimin e plotë se, përgatitja e spikatur, eksperienca e krijuar në vite dhe respekti që Hyseni gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, përbëjnë një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit inteligjent shqiptar”, shkroi Rama
Presidenti Bajram Begaj dekretoi në 23 dhjetor 2022 lirimin nga detyra të drejtorit të Shërbimit Informativ i Shtetit, Helidon Bendo, i cili ishte emëruar në detyrën e drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit në datën 5 nëntor 2018.
SHISH është institucion qendror që varet nga Kryeministri dhe drejtohet nga Drejtori. Veprimtaria e SHISH-it bazohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në legjislacionin në fuqi. Drejtori dhe zëvendësdrejtori i SHISH-it emërohen nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit. Struktura dhe organika e SHISH-it propozohen nga Drejtori dhe miratohet nga Kryeministri. Parimet bazë të punës së këtij institucioni janë ligjshmëria, objektiviteti dhe sekreti.
Shërbimi Informativ Shtetëror ka këto detyra kryesore:
– Mbledh informacion nga jashtë në funksion të sigurimit kombëtar;
– Kryen veprimtari kundërzbulimi për ruajtjen e integritetit, pavarësisë e rendit kushtetues;
– Mbledh informacion për terrorizmin, prodhimin e trafikun e narkotikëve, prodhimin e armëve të dëmtimit në masë dhe krimet kundër mjedisit;
– Mbledh informacion për krimin e organizuar, që cenon sigurinë kombëtare;
– Mbron sigurinë e veprimtarisë së vet, të informacionit, punonjësve dhe pasurisë me mjete të përshtatshme, duke përfshirë verifikimin e kualifikimin e kandidatëve, të të punësuarve e të kontraktuesve;
– Kryen veprimtari mbështetëse tekniko-administrative, sipas nevojave për realizimin e funksioneve të mësipërme.