Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Shkup të Maqedonisë së Veriut, tha se nisma për Planin e Rritjes së Ballkanit Perëndimor, i miratuar nga Bashkimi Evropian, është një mundësi e mirë për rajonin, e cila nuk duhet humbur.
Ai në nisje të samitit të liderëve të Ballkanit Perëndimor, kërkoi thellim të bashkëpunimit rajonal, në mënyrë që qytetarët të vendosen në vend të parë.
“Ky është një takim me të vërtetë shumë i rëndësishëm, sepse ne jemi këtu për të bashkuar mendimet tona me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe gjithashtu të administratës amerikane për një hap të madh që mund dhe duhet të ndërmarrim për t’iu afruar BE-së. Bëhet fjalë për Planin e ri të rritjes dhe integrimin në tregjet e brendshme, kjo e dyta është diçka që deri më tani ka qenë e mundur vetëm për vendet që janë anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Pra, është një ndryshim i rëndësishëm dhe është një mundësi e madhe që nuk duhet ta humbasim dhe kjo është arsyeja pse është thelbësore që të kemi sukses të punojmë të gjitha së bashku, gjashtë vendet e Ballkanit. Është thelbësore që ne të vendosim qytetarët tanë në radhë të parë dhe ta lëmë politikën dhe historinë për të ardhmen, sepse çfarëdo që të bëjmë dhe nëse mund ta bëjmë në kohën e duhur për t’i kryer gjërat deri në muajin e ardhshëm, ne do të përcaktojmë se si do të duken vendet tona në fund të kësaj dekade”, tha ai.