UBT News

Rama: Përgëzoj Kurtin për pranimin e propozimit të BE-së

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përgëzoi të enjten kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti siç ka shkruar ai, për pranimin e propozimit të Bashkimit Evropian (BE) për të përparuar me vendosmëri drejt një zgjidhjeje zhbllokuese lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe përmes instrumenteve të vetëmenaxhimit si një kuadër për negociatat vijuese.

“Përgëzoj kryeministrin e Kosovës për pranimin e propozimit të BE-së për të përparuar me vendosmëri drejt një zgjidhjeje zhbllokuese lidhur me AKShS, përmes instrumenteve të vetëmenaxhimit si një kuadër për negociatat vijuese. Ky është me të vërtetë një moment historik i rëndësishëm. Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë duhet të demonstrojnë lidership dhe të punojnë ngushtë me partnerët tanë perëndimorë për zbatimin e menjëhershëm të Marrëveshjes Themelore për normalizimin e marrëdhënieve, pa vonesa të mëtejshme. Rajoni ynë meriton paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin për një të ardhme më të mirë të përbashkët, në vend të konflikteve, lojërave të fajësimit dhe ngecjeve që na dëmtojnë të gjithëve”, ka shkruar Rama në X.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi takime me udhëheqësit evropianë, në margjina të një samiti të BE-së në Bruksel, por nuk ka ende informacione për rrjedhën e tyre. Ai nuk dha ndonjë deklaratë para gazetarëve.

Exit mobile version