Kryeministri Edi Rama është ndalur sot në një komunikim me mediat, ku është pyetur edhe për vendimin që Basha mori në lidhje me Sali Berishën, të cilin e përjashtoi nga grupi i PD-së.
“Ndalova për t’iu uruar një punë të mbarë, dhe të frytshme si shërbëtorë të publikut në këtë shesh në hyrje të parlamentit, do të angazhohem personalisht dhe PS do të bëjë të gjithë përpjekjen që të kemi sa më shumë energji të shpenzuara për njerëzit, për sfidat e përbashkëta që ka vendi dhe sa më pak energji për atë që politika ka bërë fatkeqësisht në shumë e shumë vite duke u bërë një pronë e politikanëve që kanë abuzuar vijimisht për qëllime e interesa, ambicie që mund të jenë edhe të natyrshme, por që nuk janë kurrë të mjaftueshme, për t’u ngritur mbi interesat dhe shpresat e qytetarëve. PS sot është në një moment shumë të rëndësishëm sepse duhet të ndjejë në të gjithë qelizën e saj çuarjen e vendit diku tjetër. Ne vijmë në këtë Kuvend për mandatin e tretë me dorën e shtrirë për diçka që e kam thënë që në krye të herë së pa marrë parasysh si do shkonin zhvillimet brenda PD-së, për të bashkëpunuar në funksion të njerëzve. Unë jam shumë i përgatitur që të jem në lartësinë e fjalëve duke dhënë shembullin e pari dhe duke u përmirësuar edhe në raport me ju (i referohet gazetarëve). Jam i vetëdijshëm që padashje kam kaluar kufirin, ju jap fjalën që do bëj çmos që të jem në dispozicionin tuaj i urtë dhe i dashur. E kuptoni se sa e madhe është sfida jonë. Trishtimet dhe gëzimet janë shumë të brendshme për t’i shpërdoruar për diçka që i përket një tjetër kampi politik”, tha Rama./dritare.net