Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se është mirë me gjendje shëndetësore, pasi është prekur me COVID-19, ditë më parë.
Ai ka premtuar se gjatë javës së ardhshme do të bëhet i ditur kabineti i komunës. Ndërsa ka folur edhe për propozimin e tij drejtuar ish-ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, që të bëhet drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës.
I pari i Prishtinës në Edicionin Special të Klan Kosovës ka thënë se javën e ardhshme do të plotësojë kabinetin e tij.
“Jemi të gatshëm ta forcojmë kabinetin, për shkak të aspekteve politike na duhet shumica në asamble, jemi në koordinim me partnerët e mundshëm ta bëjmë koordinimin e plotë. E kam përmendur, na duhet staf profesional, për këtë arsye jemi në pritje ta kemi stafin profesional, që do të marrë detyrat në kabinetin tonë. Jam optimist se gjatë javës në vijim do ta bëjmë publik kabinetin tonë”, ka thënë Rama.
Rama ka thënë se oferta e tij ndaj kundërkandidatit të LVV-së për kryetar të kryeqytetit, Arben Vitisë, për drejtor të Shëndetësisë në këtë institucion ishte e sinqertë.
I pyetur për atë se pse nuk ka marrë një përgjigje nga Vitia, Rama u shpreh se kjo pyetje do të ishte më mirë t’i bëhej ish-ministrit të Shëndetësisë personalisht.
“Kjo ka qenë ofertë e sinqertë. Normalisht, gjithkush i merr vendimet e veta, do të ishte më mirë ta pyetnit atë. Të gjitha propozimet që i kam bërë kanë qenë në relacion me aspektin profesional. Ai ka kryer punë të mirë kur ka qenë më parë. Jam i hapur për biseda, kam qenë i hapur me të gjitha partitë për njerëzit profesionalë, që i kanë për të formuar ekip në transformimin e Prishtinës, sepse qytetarët e meritojnë”, ka thënë Rama.
Rama ka theksuar se Vitia nuk e ka telefonuar për ta pyetur për gjendjen shëndetësore, pasi ky i fundit është prekur me COVID-19 ditë më parë.
“Nuk kam marrë telefonatë ende. Me siguri i kanë edhe punët e veta, me siguri do të më thërrasë së shpejti. Nuk kam problem në këtë aspekt, po e shihni se jam mirë”, ka thënë Rama.
Rama theksoi se është duke punuar nga shtëpia dhe se edhe një pjesë e kabinetit të tij ka dalë pozitiv me koronavirus.
“Jam mirë shumë, nuk kam simptoma, jam totalisht në gjendje të mirë shëndetësore, kam punuar tërë ditën nëpërmjet internetit, kam pasur takime të shumta në platformën ‘Zoom’. Më shumë kam punuar sot, sesa po të isha në zyrë pa pengesa të mëdha”, tha Rama.
Rama ka shtuat se edhe pse një pjesë e stafit janë me COVID-19, punët në Komunën e Prishtinës të gjitha janë duke u zhvilluar në formë të rregullt.