UBT News

Rama në mbledhjen e Qeverive shqiptare: Ambicia jonë është heqja e kufirit

Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë po mbahet mbledhja e dy qeverive shqiptare. Në fjalën e tij, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi se se ambicia e tyre është heqja e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Ambicia jonë është heqja e kufirit në funksion të zbatimit të 4 lirive të BE-së në rajonin tonë duke nisur nga më e thjeshta dhe më kuptimplota heqja e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Është e rëndësishme që të dyja ministritë e Brendshme e dy qeverive të intensifikojnë punën dhe të krijojnë një database të përbashkët për të mundësuar kontrollin në kohë reale të hyrjeve e daljeve në të gjitha pikat kufitare të perimetrit tonë të përbashkët që do na mundësonte hapjen përfundimtare të kufirit pa humbur asnjë centimetër në frontin e betejës kundër aktiviteteve të paligjshme dhe abuzimit me lirinë e lëvizjes”, deklaroi Rama.

Kreu i Qeverisë së Shqipërisë u shpreh se është e domosdoshme ndërtimi i hekurudhës mes dy vendeve, edhe pse do të marrë kohë për tu materializuar.

Rama ka folur edhe për portin e Durrësit, teksa u shpreh se do të ishte në funksion të të gjithë rajonit.

“Një port të përbashkët në Durrës, të Shqipërisë dhe të Kosovës dhe në funksion të të gjithë rajonit, që padiskutim e kërkon një lidhje të shumëfishtë. Së shpejti ne nisim, pas një odiseje të gjatë, ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës, dhe ky hap tjetër shkon në drejtimin e duhur, ashtu si shkon në drejtim të duhur korridori digjital Prishtinë-Tiranë, mbështetur në teknologjinë 5G”, deklaroi ai mes tjerash./UBTNews

Exit mobile version