Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë vizitës në Bosnje dhe Hercegovinë, ka kërkuar që të zbatohet marrëveshja e Berlinit, sidomos ajo për lëvizjen e lirë me kartë identiteti për qytetarët e Republikës së Kosovës, pasi ka theksuar se është e pakuptimtë që të ketë problematika të kësaj natyre.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se Shqipëria dëshiron t’i forcojë marrëdhëniet me Bosnje e Hercegovinën dhe po ashtu e ka informuar kryeministren se janë duke u përgatitur për hapjen e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Sarajevë.
“Nuk është ndonjë sekret që Republika e Shqipërisë mbron edhe interesat e shqiptarëve në Kosovë dhe në vendet tjera dhe ne jemi shumë të interesuar që marrëveshjet e procesit të Berlinit dhe në radhë të parë marrëveshja për lëvizjen e lirë me kartë identiteti për qytetarët shqiptarë të Republikës së Kosovës të mundësohet sepse është e pakuptimtë që ne të kemi problematika të kësaj natyre që zbresin deri në nivelin e qytetarëve, ndërkohë që politika duhet t’iu shërbej qytetarëve pa dallim dhe unë dëshiroj të besoj që ashtu si kundër vet Serbia i ka firmosur ato marrëveshje, edhe Bosnja e Hercegovina do ta bëjë këtë gjë. Nga ana tjetër erdha këtu për ta informuar kryeministren se çka ne duam të bëjmë në samitin e procesit të Berlinit në Tiranë në muajin tetor dhe se si ne dëshirojmë të ndërtojmë një qëndrim të përbashkët të të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor për ta shfrytëzuar samitin e Tiranës, si një samit ku të marrë jetë pani i një financimi të ri dhe një mbështetje të re ekonomike nga Bashkimi Evropian për këto gjashtë vende“, tha ai.
Sipas tij, BE duhet t’i mbështes gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, pasi vullneti për të ndërtuar paqen duhet të shpërblehet.
Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Republikës së Bosnje dhe Hercegovinës, Borjana Kristo tha se në këtë takim kanë biseduar për marrëdhëniet e mira që kanë në mes të dy shteteve, si dhe rritjen e bashkëpunimit në të ardhmen.
Ajo tha se kanë theksuar 14 çështje më të rëndësishme për t’i paraqitur Komisionit Evropian.
“Kemi parashikuar pesë çështje të cilat duhet të paraqiten dhe lidhur me këtë Këshilli i Ministrave po përgatitet që më 19.07 të paraqitet në mënyrë sa më të mirë dhe adekuate para Këshillit Evropian. Theksuan edhe bashkëpunimi rajonal dhe me theks të veçantë për procesin e Berlinit… Dy iniciativa nuk kemi arritur për t’i bërë dhe nuk jemi të gatshëm për t’i aprovuar siç është lëvizja e lirë në mes shteteve dhe tregut të përbashkët dhe jemi duke punuar edhe në këto dhe pas këtij takimi do të bëjmë intensifikimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve dhe me rajonin“, tha ajo.
Rama po ashtu ka njoftuar Kriston se nga mesi i muajit korrik, do të organizoi një takim informal në mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të Komisionit Evropian për të diskutuar për planin e ri dhe për të ndërtuar së bashku një qëndrim për procesin e Berlinit.