Kryeministri Edi Rama mbylli punimet e seancës së parë të samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, duke ftuar të pranishmit në drekën zyrtare.
Në komentet e fundit, Rama u ndal te mikpritja shqiptare, ndërsa citoi Kanunin e Lekë Dukagjinit.
“Dëshiroj të ndaj me ju faktin që në Kanunin tonë që është shkruar kohë më parë ka një kapitull që ka të bëjë me mikpritjen dhe ai fillon me një citim që thotë që ‘shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut‘”, tha Rama.
Rama tha se “kjo fjali është vërtet shumë e thellë dhe është edhe origjinë e faktit që ne arritëm në fund të Luftës së Dytë Botërore si vendi që kishte më shumë hebrenj se sa kishte pasur në fillim të tij, sepse ata erdhën si miq të cilët shqiptarët i mbrojtën me jetën e tyre”.
“Por ndër të gjitha këto gjëra që ne bëjmë për miqtë, gjë shumë të rëndësishme kemi që t’u japim atyre ushqim shumë të mirë. Për këtë arsye, pavarësisht se thuhet se dreka asnjëherë nuk është falas, sot do ta shikoni se është e kundërta, se sa herë që të vini në Shqipëri do të jeni gjithmonë të mikpritur”, tha Rama./atsh