Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se dokumenti i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, i panënshkruar për shkak të mungesës së vullnetit nga pala serbe por i dakorduar në Bruksel e Ohër, është më i miri që palët mund të marrin.
Këto deklarata Rama i bëri në një bashkëbisedim me auditorin e Institutit Mbretëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Chatham House, në Angli ku po qëndron në një vizitë zyrtare.
“Dokumenti në tryezë është më i miri. Më i miri që të dyja palët mund të marrin sa i takon kapacitetit të tyre për të rënë dakord. Mesa duket të dyja palët janë shumë pranë luftës dhe era e gjakut është ende e fortë deri në atë pikë sa nuk mund të hedhin hapat e fundmë, por kjo është rruga e duhur dhe është një njohje de facto e së drejtës së Kosovës për të jetuar më vete, për të qenë më vete, për të vendosur më vete dhe është një njohje de facto e Serbisë si fqinje me të cilën Kosova duhet të merret e të ketë marrëdhënie normale. Kështu që është fantastike. Dhe e vetmja pikë, është a do të zbatohet. Sepse Ballkani është një vend me mjaft gracka, por le të shohim”, është shprehur ai.
Rama tha se marrëdhëniet në Ballkan dhe pozita e shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Malin e Zi e Maqedoni të Veriut nuk kanë qenë asnjëherë më mirë.
“Ditët e sotme ne absolutisht nuk duhet ta harrojmë kurrë se jemi në pozitën më të mirë që kemi qenë ndonjëherë, me të gjitha problemet, me gjithçka tjetër shqiptarët janë të pozitën më të mirë që kanë qenë ndonjëherë. Në Shqipëri, në Kosovë, na Malin e Zi, në Maqedoninë e Veriut, kurrë nuk kanë qenë më mirë. Marrëdhëniet në Ballkan nuk kanë qenë kurrë më mirë, kurrë ndonjëherë. Kemi një elefant në dhomë në çdo takim që kemi me serbët, që është mosmarrëveshja e madhe me Kosovën, por serish ka barrikada, ka ca njerëz të zemëruar, ka deklarata nxitëse, por pastaj ulen në tryeze dhe përparojnë. Kështu që gjithçka po ecën në drejtimin e duhur. I vetmi problem që kemi për të mos ta nënvlerësuar është ndikimi rus në botën serbe dhe po themi në pjesën sllave ortodokse dhe për këtë n duhet ta mbajmë Serbinë nga ana jonë dhe na duhet të forcojmë marrëdhëniet me Serbinë, dhe na duhet të sigurohemi që bashkimi në Ballkan kundër agresionit në Ukrainë të mos shpërbëhet sepse kjo mund të na kthejë shumë shpejtë në kohët e shkuara”, ka thënë Rama.
Një ish-anëtar i Parlamentit Evropian e ka pyetur Ramën nëse në disa mënyra ai ndjen që Shqipëria ka një rol të posaçëm për të ndihmuar Kosovën.
“Së pari nuk është “Kosovo” është “Kosova”. Kosovo është mënyra se si e thërrasin serbët. Kështu që ju avokatoni për pavarësinë e Kosovës dhe ju lutem, po ju kërkoj me përulje, nuk është faji juaj, propaganda ka bërë punën e vet, edhe unë ndonjëherë them Kosovo por është Kosova. Jo, jo, mos kërko ndjesë, edhe unë e bëj ndonjëherë, por është Kosova. Kosova nuk është vend mik, është një vend si motër, është një vend si vëlla. Është gjithçka, nuk është vend mik, ne jemi njësoj. Për arsye të caktuara jemi një komb që jeton në dy shtete. Ne shqiptarët kemi dy shtete, 4 kryeministra në Ballkan. Diçka nuk duhet të funksionojë por ja që kështu është, gjithçka që mundemi që të ndihmojmë dhe sigurisht që mirëpresim gjithçka që ata mund të bëjnë për ne për të na ndihmuar, jemi njësoj, thjesht kemi një kufi, kemi disa rregulla për të respektuar por jemi njësor. Nuk e di se çfarë kishit ndërmend saktësisht kur pyetët? Mësoje, thuaje me mua, Ko-so-va, jo Vo-va, si Su-e-La”, ka thënë Rama.
Ndërsa i pyetur për fjalimin e tij në Këshillin e Evropës, lidhur me akuzat dhe pretendimet për trafikim organesh, Rama ka thënë se do të përsëriste një fjalim të tillë.
Ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, Rama e ka krahasuar me atë të Ukrainës, duke thënë se Thaçi ishte një Zelensky i Kosovës në kohën e luftës.
“Sikush duhet të më thotë se ku janë organet që janë hequr nga trupat dhe që janë trafikuar në perëndim. Ku janë? Nuk ka asnjë prove të asnjë lloj veprimtarie të këtij lloji dhe ky raport është një turp për Këshillin e Evropës, ky raport është një turp për komunitetin evropian të vendeve që janë pjesë e Këshillit të Evropës. Kjo është e vërteta. Çfarë pasojash? Kjo është e vërteta dhe jam i sigurt që e vërteta do të dalë. Do të dalë dhe shpresoj që Zelensky të mos përfundojë në burg një ditë sepse me këtë logjikë, Slobodan MiIloshevic u deklarua kriminel lufte, kishte një mandate arresti, ndërkohë që atëherë Hashim Thaçi u pagëzua si George Uashingtoni i Kosovës. Ai ishte Zelensky i Kosovës në atë kohë, por është në burg. Uroj që Zelensky të mos shkojnë në burg një ditë me këtë logjikë për krime lufte, pra të akuzosh për krime lufte dikë që ka udhëhequr një kryengritje kundër një agresori që kërkonte t’i spastronte etnikisht, si të ishte komandanti i një shteti të organizuar, kjo është absurde”, ka thënë Rama.
Në këtë bashkëbisedim Rama janë ngritur edhe tema të tjera si emigracioni, Rusia, Kina, dhe si Shqipëria po i përgjigjet sfidave gjeopolitike të sotme.