Gjatë fjalimit në ceremoninë për dekorimin e profesor Rexhep Qosjes, kryeministri Edi Rama ka kujtuar artikullin e tij kur ishte në opozitë dhe bëri bujë pasi kishte shkuar me duar në xhepa për inaugurimin e një shkolle në Tiranë.
Rama tha se sot e kësaj dite vazhdon i kujtohet dhe heq menjëherë duart nga xhepat, por theksoi se kritikat nuk i bëjnë aspak përshtypje, transmeton TCH.
Edi Rama: Njëherë kur gjatë inagurimit të një shkolle në Tiranë, por ishte dhe kryetar opozite, kamerat më zunë gafil me duar në xhepa dhe ju vëzhgues i imtë më qortuat me një artikull që bëri bujë “Opozitë me duart në xhepa”. Ishte qortim shumë gërvishtës që nisej nga duart e mia në xhepa dhe bitisej në përfundime të hidhura për opozitën e asaj kohe.
Dihet botërisht që kritikët e mi e dinë që nuk më bëjnë përshtypje. Që nga ajo kohë i sfidoj të gjejnë një pamje timen me duar në xhepa në kantier. Nuk është se nuk më ka ndodhur të fus duart në xhepa por besoni apo jo, më kujtohet menjëherë Rexhep Qosja me artikullin qortues dhe i heq duart nga xhepat. Njeriut duhet gjithmonë t’i dhembë diku, vetëm budallenjve nuk i dhemb asgjë.
Ky është një shembull i vogël, por kuptimplotë për mendimin kritik të Qosjes që nuk e ka fuqinë e madhe tek gërmat, por i rendit njeriu që i ka mishëruar me forcën e shembullit fjalën e thënë të një jete aspak të lehtë, që uroj të jetë shumë e gjatë.