Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar vendet e Ballkanit kanë një moment shansi historik që të çojnë përpara një projekt dialogu dhe orientimi drejt së ardhmes me secili guri i rëndë në vend të vet, e në këtë pikë Kosova është një gur i rëndë në vend të vet që askush nuk mund ta luajë, por duhet të zë vend në mes të gjithë gurëve të bashkësisë ndërkombëtare, duke formësuar plotësisht subjektivitetin e vet ndërkombëtar.
Kryeministri Rama tha se mënyra më e mirë për të nderuar trashëgiminë e Rugovës, është zotimi për të ndërtuar urat e domosdoshme që na lidhin me të tjerët duke i besuar pasionit të arsyes dhe jo arsyes së pasionit në mënyrë që të fitohet paqja e plotë dhe të mos humbasim paqja që kemi.
“Mësimi i Ibrahim Rugovës është i jashtëzakonshëm, është mësim për të gjithë ne sepse na kujton se sado të mëdhenj që jemi dhe sa do të mbështetur që jemi, mbetemi një popull i vogël, në dy shtete të vegjël që siç thoni ju në Kosovë nuk kemi qare pa miqtë dhe aleatët e mëdhenj. Ndikimi i Rugovës nuk ishte kufizuar vetëm në arritjet politike, ai ishte një ikonë kulturore që mbështeste ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë së pasur. Të gjithë miqtë e tij por edhe nga takimi në shtëpinë e tij, është shumë e qartë që ai kishte një adhurim pa kushte për Shqipërinë dhe ua njihte mirë shqiptarëve, si vuajtjet edhe krenarinë, si ndjeshmërinë dhe besnikërinë dhe në momente më të vështira për Kosovën ai ngulte këmbë që Shqipëria të mbahej parasysh, duke kuptuar si askush tjetër që dallimet politike në mes dy shteteve janë një gjë dhe fatet e përbashkëta të një kombi janë një gjë krejt tjetër”, tha ai.
Rama theksoi seai ishte i bindur që dialogu ndërkulturor i shërbente themeleve të përbashkët të një shoqërie të ngritur jo mbi mërit e të shkuarën, por mbi projektet e së ardhmes. Rama theksoi se Rugova gjatë sëmundjes drejt vdekjes kishte vetëm një pishman se “nuk ia qitëm pikën jashtë”, të pavarësisë së Kosovës.
“Sot popujt e Ballkanit kanë një moment shansi historik në një kontekst rreziku historik, shansin që të qojnë parapa një projekt dialogu dhe orientimi drejt së ardhmes, secili guri i rëndë në vend të vet, e në këtë pikë Kosova është një gur i rëndë në vend të vet që askush nuk mund ta luaj nga vendi, por është edhe një gur i rëndë në vend të vet që duhet të zërë vend në mes të gjithë gurëve të Bashkësisë ndërkombëtare, duke formësuar plotësisht subjektivitetin e vet ndërkombëtar ose pastaj të hymë në rrugën që qon prapa e që dihet shumë mirë se çfarë pasoja ka në këtë zonë të Evropës, ku Rugova ishte kaq i vetëdijshëm dhe kaq i motivuar për të shmangur të dytën, duke frymëzuar të parën edhe në kohën kur siç thotë Kadare ishte pa pallat dhe pa komb. Dhe për ta realizuar këtë mision si një shans të kohës, ne do ta sjellim Evropën në Ballkan, shumë më parë se sa të qojmë Ballkanin në Evropë”, tha ai.