Përpilimi i strategjisë kornizë për trajtimin e qenve endacakë ishte diskutim mes kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, përfaqësuesve nga BE-ja dhe organizatat joqeveritare.
Pas takimit, Rama në një konferencë për media kërkoi bashkëpunim midis komunave për trajtimin e qenve endacakë si dhe bëri të ditur se do të krijohet një fokus grup, i cili do të ketë ndërlidhje mes nivelit lokal me atë qendror, me organizatat joqeveritare dhe me ndërkombëtarët.
I pari i Prishtinës tha se problemi i qenve endacakë duhet të zgjidhet në bashkëpunim me komunat e jo vetëm në nivel lokal.
“Pikat të cilat i shqyrtuam është se komunat faktikisht duhet të punojnë së bashku, pra problemi nuk mund të zgjidhet vetëm në nivelin lokal në komunën e Prishtinës. Por duhet të jetë një bashkëveprim rajonal, një bashkëveprim gjithështetëror për zgjidhjen e problemit të qenve endacakë… Ministria e Bujqësisë ka informata që problemet kyçe vijnë edhe prej zonave rurale ku qentë nepër shtëpi të ndryshme shumohen ata vetëm lëshohen pa qenë të kontrolluar… Ne vetëm e kemi inicuar kontratën me organizatën joqeveritare e cila merret pikërisht më këtë çështje. Pra me kastrim/sterilizim të qenve në momentin nëse gjendet një tufë e qenve në një zonë që cenojnë shëndetin e njeriut pra janë të rrezikshëm atëherë veçse kemi kontratën me organizatën e cila merret menjëherë me këtë problem”, ka thënë ai.
Më tej, ai tregon edhe për fillimin e procesit të dizajnimit të strehimores e cila do ndërtohet në afërsi të Badovcit.
“Kemi me organizua tash edhe takimin tjetër me komunat tjera që strehimorja t’i shërbejë komunës së Prishtinës mirëpo edhe komunave tjera, ta ngrisim nivelin e dijenisë me qytetarët tonë se si trajtohen qentë në mënyrën më humane. (Parcela) Kjo tash ekzistuese i ka kalu të gjitha këto aspektet e analizës pra edhe prej Ministrisë së Ambientit i kemi të gjitha licencat, poashtu edhe prej urbanizimit, e njëjta gjendet afër Badovcit”, theksoi Rama.