Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, thotë se ‘të Dielen kaluam bashkë një proces shembullor’.
Ai u bën thirrje qytetarëve të Prishtinës që ta mbështesin projektin e tij në raundin e dytë të votimeve.
“Jam i bindur se gjithë ky besim dhe dashuni që më keni dhënë këta muaj, do të kurorëzohet me fitore, më 14 Nëntor”, shkruan ia në facebook.
Postimi i plotë:
E dashur Prishtinë,
Të Dielen kaluam bashkë një proces shembullor.
Ndjehem thellësisht mirënjohës për votën e secilit prej jush që më dha mbështetje për të shkuar në raundin e dytë. Jam i bindur se gjithë ky besim dhe dashuni që më keni dhënë këta muaj, do të kurorëzohet me fitore, më 14 Nëntor.
Unë besoj se gjërat nuk ndodhin rastësisht. Prandaj, nuk po më duket rastësi pse pikërisht në këtë moment, kaq shumë bashkëqytetarë po besojnë se Prishtinës i duhet përvoja, njohuria dhe gatishmëria ime për t’i bërë realitet planet tona konkrete për një Prishtinë më të dinjitetshme për të gjithë.
Prishtinës i duhet me marrë frymë e me u shëru prej kaosit urban. E unë, do t’i përvishem punës me e bë pikërisht këtë.
Bashkë me ekipin tim, këtë garë po e vazhdojmë me guxim, sepse vetë historia e ka dëshmuar se ata që guxojnë, dhe vihen në shërbim të së mirës së përbashkët, mund ta bëjnë ndryshimin e madh. Kjo nuk është vetëm ëndërr, por plan konkret e praktik lehtësisht i jetësueshëm me përkrahjen tuaj.
Në javët e ardhshme do të shihemi sërish bashkë për t’u treguar banorëve të Prishtinës se sa i rëndësishëm dhe jetik është për qytetin dhe fshatrat tona vizioni ynë për transformimin rrënjësor të Prishtinës.
Këto ditë, do t’ua shtrijmë dorën të gjithë qytetarëve të Prishtinës pa dallim, sepse kjo fitore është për të gjithë ju, përtej bindjeve tuaja partiake.
Unë ju ftoj që t’i bashkoheni rrugëtimit tonë të fitores.