Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama foli sot (e hënë) për arrestimet që ndodhën javën e kaluar në Komunën e Prishtinës, ku tha se të njëjtit janë ndaluar për arsye të kontratave mbi vepër.
Sipas tij, në këtë rast s’ka pasur asgjë jashtë normales, pasi kontratat mbi vepër janë të nevojshme për shkak të shërbimeve të shumta që kryeqyteti ofron.
“Unë e kuptova këtë sa isha jashtë vendit dhe e pash që i kanë marrë në pyetje nënkryetarin dhe shefin e personelit. Siç e mora vesh në pyetje çështja e kontratave mbi vepër, siç e dini ju kryeqyteti funksionon në një buxhet të një densiteti të 180 mijë banorëve, pra në të dhëna të vitit 2011, pra jemi 12 vjet prapa. Kryeqytetit i kërkohen shërbime të shumta dhe këto kontrata mbi vepër janë të ndërlidhura qysh përpara në shërbime në aspektin e administratës, shëndetësisë dhe inspektoratit. Pra janë të nevojshëm pasi numrat që i kemi ne nuk janë të mjaftueshëm për të kryer shërbime në kryeqytet. Besoj se ajo çka ka ndodhur është jashtë proporcioneve, nuk e shoh si të arsyeshme, por po ia lëmë proceseve ligjore të merren me këto punë. Nuk e shoh se ka pasur asgjë jashtë normales”, theksoi Rama.