Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar pas rrahjes së sotme në Kuvendin e Kosovës.
Rama u shpreh se të mos pajtohesh me kryeministrin është demokratike, derisa kundërshtimi i tillë, duke aluduar në opozitën, është njollosja e vetes.
“Të mos jesh dakord me kryeministrin është demokratike, ta shprehësh kështu kundërshtinë është të njollosësh veten, zgjedhësit e tu dhe krejt shtetin me një turp që sot i bën dëm Kosovës edhe ndërkombëtarisht, më shumë se sa çfarëdo qëndrimi politik që po ia kundërshton kryeministrit! Imagjinojini si ndjehen aleatët dhe miqtë e pazëvendësueshëm të Kosovës e të shqiptarëve, kur shohin se si kapen për fyti shqiptarët, aty ku duhet të luftohet me ide e me fjalë, jo me sharje e me grushta!”, shkroi Rama në postimin e tij të parë.
Ai uroi që opozita të distancohet nga sjellja, të cilën ai e quajti të turpshme “dhe t’i shërbejë Kosovës me forcën e shembullit, jo me shembullin e forcës!”.
Ndërsa, në postimin e tij të dytë, kryeministri shqiptar potencoi se mori mesazhe nga miqtë nga Kosova pse e ka mbrojtur kryeministrin Albin Kurti.
Rama tha se çka ndodhi sot është e turpshme dhe u shpreh bindur se justifikimi i asaj shëmtie nuk e ndihmon, po siç tha, e dëmton ende më shumë reputacionin e Kosovës.
“Më “mbytën” miq nga Kosova pse e paskam mbrojt Albinin, se shishen e parë e paska gjujt Bislimi dhe paska qenë VV që e paska hap kapitullin e dhunës në Kuvendin e Kosovës kur ishte në opozitë! Nuk më duhet kush e ka gjujt shishen e parë, mbase keni të drejtë ju, mbase jo, por nëse demokracia parlamentare katandiset në kush gjujti i pari atëherë kemi një problem edhe me kuptimin e demokracisë, edhe me kuptimin e këtij momenti kyç për Kosovën, e cila nuk ia ka borxh askujt besoj shfaqjen skandaloze të ditës së sotme. Dhe si dikush që e di mirë se sa poshtë ka rënë Kosova në sytë e krejt botës demokratike për shkak të qasjes së gabuar të qeverisë së saj, unë vazhdoj mendoj se çka ndodhi sot është e turpshme dhe jam i bindur se justifikimi i asaj shëmtie nuk e ndihmon, po e dëmton ende më shumë reputacionin e Kosovës, prandaj thashë dhe e them prapë se uroj që opozita të distancohet nga një shëmti e tillë!”, shkroi Rama në Twitter.