Kuvendi Komunal i Prishtinës ka mbajtur seancën e rregullt në të cilën është diskutuar për ndryshimin e planit urbanistik të lagjes Kalabria.
Kryetari i Prishtinës Përparim Rama ka thënë se e gjithë kjo bëhet për mirëqenie për qytetarët dhe do të vazhdojnë atë që kanë projektuar qeveritë e mëparshme, por jo me aq metra katrorë sa është paraparë pasi sipas tij nuk sjell asnjë vlerë shoqërore.
“Kjo është për të mirën e qytetarëve të Kalabrisë dhe jo vetëm, për të mirën e kryeqytetit për të mirën e tërë vendit… Ajo që është ofruar prej qeverisjeve të mëparshme ne jemi zotuar se atë do ta bëjmë, por jo ashtu me metra katrorë e pa vlerë shoqërore”, ka thënë Rama.
Por me këtë nuk u pajtuan asamblistët nga opozita PDK-AKR, të cilët kërkuan nga komuna të ndryshojnë planin urbanistik.
Sipas Partisë Demokratike e Kosovës, asamblistit Leotrim Retkoceri, komuna është treguar jo transparente që sipas tij kanë tentuar fshehjen e dokumenteve zyrtare. Gjithashtu ai ka vënë në dukje se me qeverisjen e Përparim Ramës, janë duke tentuar të bëjnë betonimin e kryeqytetit.
“Plani nuk është as para jush e as para kuvendit, është dërguar plani zhvillimor komunal me materiale të pa qasshme, nuk e di se kujt i shërben fshehja e dokumenteve edhe mungesa e transparencës. Sa jemi duke diskutuar këtu duhet thënë edhe një argument tjetër, e kuptojmë hallin e banorëve të lagjes Kalabria edhe gjithë qytetit, sepse nga sjellja po kuptohet si zonë e betonimit dhe planeve me koeficient, për grupe të caktuara, kjo nuk duhet ti ndodhë Prishtinës”, tha Retkoceri.
Gjithashtu Retkoceri ka akuzuar komunën për gënjeshtra dhe ka bërë thirrje që të drejtat e qytetarëve të mbrohen në çdo formë.
“E kuptojmë që qytetarët janë gënjyer dhe janë të revoltuar edhe revoltën e tyre e kuptojmë edhe nuk ndihemi të rrezikuar, por pastaj nga rrena dhe mashtrimi i çojnë deri në arrestim dhe kjo është e papranueshme fjala e lirë e qytetarit duhet të mbrohet me çdo kusht dhe në çdo formë”, ka thënë Retkoceri.
Ndërsa për asamblistin nga Aleanca Kosova e Re, Sami Boroci, banorët e lagjes Kalabria tash e dy vjet janë duke pritur se çfarë do të ndodhë me planin urbanistik, duke kërkuar transparencë të plotë.
“Të mos dalim para banorëve karshi, ngase që dy vite po presin këtu sepse nuk e din se çfarë ka në atë plan, eja dëshironi transparencë, publikoje sot kryetar deri në 12, nëse e keni nëse nuk e keni mos luani me neve”, tha Boroci.
Por me këto nuk është pajtuar kryetari Përparim Rama, duke thënë se nuk merren me betonim sipas opozitës, por po e kryejnë punën për të cilën janë të thirrur si të zgjedhur të popullit
“Është mbrojtur e drejta e qytetarëve të Kalabrisë që të mos betonohet, qysh po thoni që ne po dëshirojmë ta betonojmë. Keni dashur ta betononi (opozitës), nuk po dëshirojmë na ta betonojmë tash. Për këtë arsye edhe e kemi realizuar, kemi diskutuar me qytetarët e Kalabrisë, vazhdojmë diskutimin me ta dhe krijojmë hapësira të mirëfillta me këtë densitet të madh që ju kanë dërguar qytetarëve të Kalabrisë”, ka thënë Rama.
Por edhe qytetarët e fshatit Shkabaj patën pothuajse probleme të ngjashme, ku përfaqësuesi Bahri Sejdiu ka kërkuar nga komuna zgjidhjen e lokacionit për ndërtimin e xhamisë së fshatit.
“Krahas të gjitha kërkesave që i kemi, i kemi shterë të gjitha drejtoritë e komunës dhe takimet tona qe nga 2008, Këshilli i Bashkësisë Islame të Prishtinës më shumë se 6 kërkesa iu janë drejtuar komunës së Prishtinës për zgjidhjen e një lokacioni për xhaminë e fshatit dhe shpronësimit të pronës e cila është në mes fshatit, prona e AKP”, ka thënë Sejdiu.
Të pranishëm në këtë seancë ishin edhe banorët e lagjes Kalabria dhe ata të fshatit Shkabaj të cilët nga kërkuan t’i mbajë premtimet kryetari Përparim Rama.