Në ditën e dytë të samitit për Planin e Rritjes BE–Ballkani Perëndimor, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zhvilluar një takim me liderin e BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, në Shkup.
Takimi, që u cilësua si “vëllazëror” nga Ahmeti, u përqendrua në çështje kyçe që prekin Maqedoninë e Veriut dhe rajonin, përfshirë kërcënimet ndaj Marrëveshjes së Ohrit, marrëdhëniet ndëretnike dhe nevojën për forcimin e raporteve ndërmjet dy shteteve fqinje.
“E ardhmja evropiane e rajonit është e përbashkët, nuk ka ndarje në këtë proces”, ka deklaruar Ahmeti, i cili ndau edhe fotografi nga takimi përmes rrjeteve sociale. Ai shtoi se diskutimi me Ramën ishte i sinqertë dhe politikisht i thellë, në funksion të barazisë dhe perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut.