Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, pas dështimit të seancës së Kuvendit Komunal, ka deklaruar se buxheti i kryeqytetit për vitin 2025 po përballet me pengesa serioze.
Sipas tij, ndonëse buxheti është votuar që në dhjetor 2024 dhe është planifikuar për projektet madhore të qytetit, Parlamenti i Kosovës ende nuk ka miratuar atë.
Rama akuzoi institucionet për shmangie të vazhdueshme dhe tentim sabotimi. “Do të vazhdojmë të punojmë me projekte të reja dhe të kërkojmë fonde nga instanca të tjera”, u shpreh ai.
“Buxhetin e dini që ne e kemi votuar në dhjetor të vitit 2024, i cili është planifikuar për të gjitha projektet madhore të kryeqytetit. Kemi kërkuar që atëherë që Parlamenti i Kosovës ta miratojë, por asnjëherë nuk është ftuar seanca. Tani kemi një çështje tjetër që ende nuk është konstituar. Ne kemi shqyrtuar në mënyrë ligjore se si Ministria e Financave të kërkojë buxhetin, e kemi kërkuar tashmë dy herë, por është shmangur. Tani ne duhet të gjendemi në mënyra të ndryshme, duhet t’i gjejmë fondet përmes projekteve të reja. Është tentuar të sabotohet edhe buxheti, por ne kemi arritur që të bëhet. Nuk po shfrytëzohet mundësia që buxheti i vitit 2025 të aprovohet. Ne vazhdojmë me projektet, nuk do të ndalemi dhe do të vazhdojmë të kërkojmë instanca të tjera”, tha Rama.