UBT News

Rama: Brenda një viti paga mesatare në 900 euro

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama pas mbledhjes së qeverisë prezantoi vendimin për rritjen e pagës mesatare brenda një viti nga 563 euro që është aktualisht në 900 euro.

Kryeministri Rama në një konferencë për media foli për reformën e re të pagave, derisa theksoi se ky është rezultat i përgjithshëm i përpjekjeve, reformave dhe punëve të bëra.

Rama tha se rritja e pagës mesatare do të ketë një efekt të konsiderueshëm në buxhet, por siç u shpreh ai do të jetë i përballueshëm.

“Sapo kemi dakordësuar Projektligjin për reformën e re të pagave dhe kemi sanksionuar e zeza mbi të bardhë, se në harkun e një viti paga mesatare e Republikës së Shqipërisë do të shkojë nga 563 euro që është sot në 900 euro. Ky është rezultat i të gjitha përpjekjeve, reformave, punëve të bëra për të ardhur në ditën që ta krijojmë këtë mundësi për shtëpinë tonë të përbashkët dhe të mund të rishpërndajmë të ardhurat aty ky edhe me shumë të drejtë familjet e zakonshme shqiptare presin më shumë sesa në çdo gjë tjetër, në arkën e buxheteve të tyre”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama tha po ashtu se është shumë e rëndësishme të konstatohet sot se sa e qëndrueshme është ekonomia e Shqipërisë dhe ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit të saj, pavarësisht të gjitha peripecive, pengesave dhe goditjeve të jashtëzakonshme që Shqipëria ka marrë.

“Ia kemi dalë, jo vetëm të rezistojmë, jo vetëm të adresojmë plagë dhe probleme të rënda, vazhdojmë sot që flasim të mbështesim të gjitha familjet dhe të gjitha bizneset e voglat në mënyrë që të mos shohin asnjë qindarkë rritje të çmimit të energjisë në faturën e tyre dhe sot mund t’iu themi të gjithëve se është dita për të marrë ata vetë direkt, jo thjeshtë komuniteti, bashkia, vendi, jo thjeshtë infrastruktura, shkollat, kopshtet, çerdhet, spitalet, qendrat shëndetësore e me radhë, por ata vet drejtpërdrejtë në arkën e tyre familjare frytet nga kjo përpjekje dhe nga reformat që na kanë sjellë deri këtu”, theksoi ai.

Rama tha se rritja e pagave nuk ka të bëjë fare me fushatën elektorale.

“Kjo është koha që janë krijuar mundësitë, kjo është koha që bëhet dhe që nuk ka lidhje me fushatën elektorale, është shumë e thjeshtë të kuptohet pse”, tha ai.

Exit mobile version