UBT News

Rama: BE-ja të dënojë shpalljen e ditës së zisë kombëtare nga Serbia

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se vrasja e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe shpallja e ditës së zisë kombëtare nga Serbia janë veprime të pajustifikueshme, të papranueshme dhe duhen dënuar.

Rama, kërkoi nga Bashkimi Evropian dhe i gjithë komuniteti euroatlantik të dënojë ditën e zisë të shpallur nga Serbia për vdekjen e tre terroristëve që morën pjesë në sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit të dielën. Sipas tij, ky veprim nga Serbia është sinjali më i keq që mund të jepte për rajonin dhe tërë Evropën.

Në konferencë për medie nga Roma, Rama tha se e kanë të pamundur të mbështesin deklaratën e parë të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, pa pasur një deklaratë të dytë ku dënohen veprimet e Serbisë

“Ne e kemi të pamundur të linjëzohemi me Bashkimin Evropian pa parë një deklaratë të dytë që adreson problematikën e ditëve të fundit, ku ka ndodhur një zhvillim dramatik pasi është vrarë një efektiv i Policisë së Republikës së Kosovës nga një grup kriminal që ka qenë qartësisht i investuar për të ushtruar terror në veriun e Kosovës, gjë që është pasuar nga shpallja e një ditë zie kombëtare në Beograd. Kjo për ne është e papranueshme, është e pajustifikueshme madje është e dënueshme sepse është jo evropiane dhe sepse njëkohësisht është sinjali më i keq që Serbia mund të jepte në këtë moment për të gjithë rajonin dhe për Evropën. Kemi kërkuar që Bashkimi Evropian, i gjithë komuniteti euroatlantik të vërë alarmin në nivelin më të lartë, alarmin demokratik në nivelin më të lartë e të përdorë gjithë instrumentet në dispozicion për t’i kthyer mesazhin e duhur këtij mesazhi krejtësisht të papranueshëm që vjen nga shpallja e zisë kombëtare në Beograd. Deri në momentin ku nuk do të ketë një deklaratë të dytë të Bashkimit Evropian për të vendosur me drejtësi një gjykim për ditët e fundit, ne nuk do të linjëzohemi me deklaratën e parë”, theksoi Rama.

Megjithëse tha se në parim nuk i heqin asnjë presje të gjithë kërkesave të Bashkimit Evropian për Kosovën në raport me dialogun.

“Ne nuk i heqim asnjë presje të gjitha kërkesave të Bashkimit Evropian e të komunitetit euroatlantik për Kosovën dhe në këtë pikë linja jonë është 100% linja e Bashkimit Evropian dhe e komunitetit euroatlantik. Por, ama e përsëris, ky është momenti për të dënuar me zë të lartë atë që ka ndodhur në veriun e Kosovës dhe atë që pastaj ka pasuar në Beograd me shpalljen e një ditë zie kombëtare që heroizon angazhimin e një grupi kriminal për të ushtruar terror në veriun e Kosovës”, tha Rama gjatë vizitës së tij zyrtare në Itali.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Punëve të Jashtme të Italisë Antonio Tajani, tha se dënojnë aktet e dhunës në veri të Kosovës.

Ai madje përmendi si mundësi që Italia të shtojë trupa shtesë në kuadër të KFOR-it që të shmangen incidente dhe viktima të reja në veri.

“Italia gjithmonë ka dënuar dhe vazhdon të dënojë të gjithë aktet e dhunës. Ne punojmë për paqen dhe stabilitetin e atij rajoni. Unë fola personalisht me kryeministrin e Kosovës Kurti, me presidentin serb, Vuçiq, i ftova të gjithë për një zgjedhje që të jetë ajo e paqes, dialogut që të ndalojnë çdo veprim. I pohova se Italia është e gatshme dhe fola me ministrin Crosetto që të vlerësojnë hipotezën e një përforcimi të dispozitivit KFOR për të shmangur incidente të reja dhe viktima të reja… Ne i ftuam të gjithë që ta shohin veten në deklaratën e presidentit Borrell të 19 shtatorit duke ftuar në të njëjtën kohë të gjithë që të punojmë për paqen dhe të ndalojnë çdo lloj aktiviteti ushtarak dhe dhune në atë rajon sepse dhuna sjell dhunë, kurse dialogu sjell dialog. Ne do të vazhdojmë të bëjmë çdo gjë që është në dorën tonë në mënyrë që dialogu të mund të rifillojë dhe dhuna nga ana e grupeve ekstremiste të zëvendësohet me diplomaci dhe besoj se është e drejtë që puna e Bashkimit Evropian të jetë gjithmonë e më shumë efikase”, theksoi Tajani.

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë zyrtare dy ditore në Itali, së bashku me një delegacion të përbërë nga ministra të kabinetit qeveritar. Dje, në nisje të vizitës, Rama u takua me Presidentin e Senatit të Republikës së Italisë, Ignazio La Russa, ndërsa sot, u mbajt takimi i Komitetit të Përbashkët për Investimet, çështjet ekonomike dhe sociale, Shqipëri-Itali. 

Exit mobile version