Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama njoftoi të martën se Banka Botërore ka dhënë një fond mbështetje prej 900 milionë dollarësh për programin e ri të zhvillimit për periudhën 2023-2027.
Në një konferencë të përbashkët për media me drejtues të Bankës Botërore në Shqipëri, Emanuel Salinas, Rama tha se u zhvillua një proces jo i lehtë dhe i gjatë bashkëbisedimi dhe negociimi me Bankën Botërore për të përcaktuar kornizën e re të partneritetit që është programi i ri i zhvillimit me mbështetjen e BB-së.
“Me Bankën Botërore për të përcaktuar kornizën e re të partneritetit që është faktikisht programi i ri i zhvillimit me mbështetjen e BB për periudhën 2023-2027 për të cilën kemi marrë në dispozicion 900 milionë dollarë dhe të cilat do të shpërndahen sipas një sërë pikash. Por ajo që dua të them, është se jemi në kushtet e një faze të re në jetën ekonomike dhe sociale të vendit dhe kemi hedhur të gjitha bazat e nevojshme për të bërë një kapërcim tjetër, në funksion të objektivave tona të shpallura për vizionin “Shqipëria 2030”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama para mediave ka mohuar se kjo kredi është marrë për rritjen e pagave, dhe potencoi se nuk do të ndikojë në rritjen e borxhit publik.
“Nuk ka asnjë lidhje dhe nuk ka se si të ketë në fakt mes rritjes së pagave dhe rritjes së borxhit, sepse ne nuk do të marrim borxh për të rritur pagat, përkundrazi, do t’i rrisim pagat dhe do të vazhdojmë të ulim borxhin, sikundër e kemi ulur gradualisht dhe sikundër kemi ecur konform gjithë planit të stabilitetit makro-ekonomik në aspektin e borxhit”, thotë ai.
Kryeministri Rama falënderoi Bankën Botërore për gjithë mbështetjen e saj në të gjitha vitet, por në mënyrë të posaçme për këtë proces që është kornizuar tani.
“Në memorien time është procesi më i dialoguar, është procesi më i thelluar në çdo sektor dhe në çdo detaj dhe është procesi më jo konvencional që kemi bërë për të adresuar realisht të gjitha ato pika të organizmit, të vendit, dhe të jetës sociale dhe ekonomike të vendit që do të stimulojnë energji të reja zhvilluese”, theksoi ai.
Ndërsa, përfaqësuesi i Bankës Botërore në Shqipëri, Emanuel Salinas tha se në kuadër të këtij partneriteti jemi përqendruar apo jemi zotuar për t’u përqendruar në tre gjëra: më shumë vende pune më të mira për popullsinë shqiptare, por sidomos për rininë dhe për gratë.