UBT News

Ralph Fiennes: “Do të doja të rikthehesha si Voldemort, por ajo kohë ka kaluar”

Aktori britanik Ralph Fiennes ka deklaruar se do të kishte dëshirë të rikthehej në rolin e Voldemortit në universin e “Harry Potter”, por beson se kjo tashmë nuk do të ndodhë.

Fiennes, i cili luajti antagonistin kryesor në filmat e sagës nga viti 2005 deri më 2011, tha në një intervistë se më herët kishte shprehur gatishmërinë për ta ripërsëritur rolin, por që prej asaj kohe nuk ka pasur asnjë zhvillim dhe se “ajo anije tashmë ka ikur”.

Ndërkohë, një adaptim i ri televiziv i serisë së famshme është në prodhim nga HBO, por ende nuk është bërë e ditur se kush do ta interpretojë Voldemortin. Mes emrave të përfolur kanë qenë Tilda Swinton dhe Cillian Murphy, megjithatë vetë drejtuesit e projektit kanë mohuar spekulimet, duke theksuar se ende nuk ka një vendim përfundimtar. Edhe Murphy ka hedhur poshtë zërat për përfshirjen e tij në këtë rol.

Seria e re tashmë ka konfirmuar aktorët kryesorë: Dominic McLaughlin do të luajë Harry Potterin, Alastair Stout Ron Weasley-n dhe Arabella Stanton Hermione Granger-in, duke zëvendësuar treshen ikonike të filmave, Daniel Radcliffe, Emma Watson dhe Rupert Grint.

Projekti do të sjellë edhe rikthime të pjesshme, pasi Warwick Davis pritet të rikthehet në rolin e profesorit Filius Flitwick. Sezoni i parë do të bazohet në librin e parë të JK Rowling, “Harry Potter and the Philosopher’s Stone”.

Megjithatë, disa aktorë kanë raportuar për kritika dhe reagime negative lidhur me përfshirjen në serial, përfshirë edhe kërcënime ndaj aktorit Paapa Essiedu, i cili është përfolur për rolin e Severus Snape. Pavarësisht kësaj, ai ka theksuar se reagimet pozitive nga publiku kanë qenë të shumta dhe inkurajuese.

Seriali i parë i “Harry Potter” pritet të nisë transmetimin gjatë festave të fundvitit 2026 në HBO Max.

Exit mobile version