Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, njëherit një prej personave që etiketohet nga autoritetet në vend se po mirëmban barrikadat në veri të vendit, ka folur për paqe e liri gjatë protestës në Rudare.
Ai sërish pretendoi për maltretime ndaj serbëve por pa paraqitur ndonjë provë, ndërsa tha se po i dërgon mesazh Prishtinës dhe mentorëve të tij, një referencë e qartë për ambasadorët e vendeve mike të Kosovës.
“Arrestimet e pa baza, listat sekrete me emra të serbëve, si dhe maltretimet ndaj popullit serb nga ana e specialëve të Kurtit, janë arsyeja që sot jemi mbledhur sot në Rudare. Duam t’i dërgojmë mesazh Prishtinës dhe mentorëve të tyre se jemi këtu, se duam paqe, liri, dhe se nuk ju dorëzohemi atyre të cilët dëshirojnë të zhdukin gjithçka që është serbe. Jemi në vendin tonë, dhe nuk mund të heshtim ndaj padrejtësisë dhe të pranojmë zhdukjen në heshtje nga toka jonë. Dua të përsërisë se zgjidhja e kësaj krize gjendet në Prishtinë”, tha Rakiq.
Ai kërkoi që të lirohen të dyshuarit për prishje të rendit, madje edhe sulm ndaj zyrtarëve policorë dhe zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Dejan Pantiq dhe Miljan Axhiq.
Gjithashtu, kërkoi që të largohen njësitë policore të Kosovës të cilët po kujdesen për sigurinë në veri.
“Menjëherë të lirohen Miljan Axhiq dhe Dejan Pantiq, të cilët u arrestuan pa ndonjë bazë, të tërhiqni të gjitha listat sekrete me emra të serbëve e që kanë të bëjnë me pjesëmarrjen e tyre në protesta nga shtatori i vitit të kaluar deri në ditën e sotme, si dhe të tërhiqni nga veriu i Kosovës të gjitha njësitë me tyta të gjata dhe automjete të blinduara, të cilët janë duke maltretuar popullin tonë çdo ditë, dhe nën garancinë e KFOR-it se këto njësi nuk do të vijnë sërish në veri. Pa plotësimin e këtyre kushteve, nuk ka largim të barrikadave”, shtoi Rakiq.