UBT News

Raka: Vaksinohuni, 93% e personave të shtrirë në spital nuk kanë qenë të vaksinuar

Infektologu Lul Raka u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen sepse 93% e qytetarëve që kanë qenë të shtrirë në spital nuk kanë qenë të vaksinuar.

Raka duke bërë apel për vaksinim, tha se askush nuk ka nevojë për termin dhe mund të merret vaksina kudo.

“Varianti Delta i koronavirusit ka afër 56 pasardhës apo nënvariante. “Delta plusi” ose AY.4.2 është vetëm njëri prej tyre. Deri në fund të pandemisë bota do të njohë edhe variante të reja, sepse mutacionet që ndodhin në viruse janë fenomen normal në biologjinë e tyre. Nuk ka nevojë për panikë nga nënvarianti i ri, sepse armën më efikase të përballjes me të e kemi në duart tona – Vaksinën! Atë thjesht duhet ta shfrytëzojmë! Edhe ndaj këtij nënvarianti, vaksina është shumë efikase në uljen e rrezikut të vdekjes, sëmundjes së rëndë apo shtrimit në spital. Në Kosovë, 93% e personave të shtrirë në spital NUK kanë qenë të vaksinuar! Prej fillimit të pandemisë i kemi mësuar masat për parandalim, kontrollë dhe inspektim ndaj Covid-19, por shpesh nuk i kemi zbatuar në praktikë. Në kohën e rritjes së numrit të rasteve dhe vdekjeve kudo përreth nesh, të gjithë ata që ende nuk janë vaksinuar, tash është koha më e mirë për vaksinim. Sot, stoqet me vaksina janë plot; nuk keni nevojë për termin dhe mund ta merrni vaksinën kudo”, shkroi Raka në Facebook.

Aktualisht në vend janë 428 raste aktive me COVID-19./UBTNews

Exit mobile version