Komuna e Rahovecit në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë pritet t’i kompensojnë 243 bujq të cilët u dëmtuan nga vërshimet.
Sipas një njoftimi publik nga kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, paraprakisht janë kompensuar 214 bujq derisa në pritje janë edhe 83, të cilët tha se do të kompensohen në ditët në vazhdim.
“Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave të MBPZHR-së, pas shqyrtimit të ankesës së bazuar në faktet, argumentet dhe dëshmitë e ofruara prej komunës së Rahovecit, dje i ka kualifikuar edhe 243 bujq, të cilët do të dëmshpërblehen. Sipas raportit të Drejtorisë Komunale për Bujqësi, i cili po vazhdon të shqyrtohet në MBPZHR, përkatësisht në Komisionin për Ankesa të kësaj ministrie, nga: 540 bujq që u janë dëmtuar kulturat e tyre nga fatkeqësitë natyrore, ditë më herët 214 bujq janë kompensuar, kur i shtojmë edhe 243 të kualifikuar që do të kompensohen, na mbetet ta vazhdojmë ‘betejën’, edhe për 83 bujq”, ka shkruar Latifi.
Përmes një postimi në Facebook, Latifi ka thënë se e falënderon Komisionin për Shqyrtimin e Ankesave të MBPZHR-së për bashkëpunimin konstruktiv me Drejtorinë Komunale të Bujqësisë e cila i ka ofruar këtij komisioni dëshmi shtesë.