UBT News

Rahmani: Evropa të qëndrojë kundër shtypjes iraniane ndaj protestuesve

Parlamenti Evropian duhet të “qëndrojë kundër” dënimeve të raportuara me vdekje të dhëna protestuesve në Iran, sipas aktivistit dhe gazetarit Taghi Rahmani.

Ai foli javën e kaluar në Bruksel për situatën në vendin e tij të lindjes, ku protestat kanë vazhduar që nga shtatori për vdekjen e Mahsa Aminit, pasi ajo u arrestua nga “policia e moralit” e vendit.

Organizatat e të drejtave të njeriut kanë thënë se autoritetet iraniane tani po kërkojnë dënimin me vdekje kundër disa protestuesve në një përpjekje për të shuar lëvizjen.

“Populli ynë po proteston kundër despotizmit, monopolit dhe tiranisë, dhe ata po drejtojnë gishtin nga zoti Khamenei, lideri i Republikës Islamike, i cili me tiraninë e tij e ka çuar shoqërinë tonë në kushte shumë të këqija ekonomike dhe sociale”, tha Rahmani për Euronews.

“Regjimi nuk është tërhequr ende, por as njerëzit nuk janë dorëzuar dhe kjo është një luftë serioze”, shtoi ai.

Rahmani bëri thirrje për “mbështetje reale, praktike dhe teknike” për protestuesit iranianë nga komuniteti ndërkombëtar.

“Ne sigurisht nuk duam luftë. Ne nuk jemi në favor të një lufte. Ne nuk duam sanksione që do të dëmtojnë njerëzit (të zakonshëm), por duam mbështetje, mbështetje praktike për fitoren e popullit”, tha ai.

Pas takimit të Rahmanit në Parlamentin Evropian javën e kaluar, kryetarja e këtij organi, Roberta Metsola, tha se do të mbështesin protestuesit.

“Ne jemi me popullin e Iranit dhe do të qëndrojmë me ta”, shkroi Metsola në Twitter./UBTNews/

Exit mobile version