UBT News

Ragmi Mustafi: Lugina e Preshevës duhet të jetë pjesë e pandashme e zgjidhjes në mes të Kosovës dhe Serbisë

Çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës duhet të shtrohet në procesin e bisedimeve Kosovë-Serbi.

Kështu shprehet, Ragmi Mustafi, Kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës në një intervistë të dhënë për KlanKosova.tv.

“Ne vazhdimisht kemi kërkuar që pjesë e agjendës së këtij dialogu të shtrohet edhe çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës sepse konsiderojmë që Lugina e Preshevës duhet të jetë pjesë e pandashme e zgjidhjes në mes të dy shteteve”, është shprehur Mustafi.

Mustafi ka përmendur edhe deklaratën politike të miratuar më 14 korrik 2018 në të cilën thuhet se “Pa zgjidhjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, nuk mund të ketë normalizim të mirëfilltë mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”.

Po ashtu ai ka theksuar se sa i përket zgjidhjes së problemit të tyre shqiptarët e Luginës së Preshevës janë deklaruar në referendumin e 1992-ës, ku kanë votuar për bashkim me Kosovën.

Për gjendjen e shqiptarëve në këtë pjesë që njihet si Kosova Lindore, institucionet e reja lokale në Preshevë, procesin e vaksinimit kundër COVID-19, gjendjen e sigurisë dhe largimin e shqiptarëve nga tri komunat shqiptare, lexojeni intervistën e plotë me Ragmi Mustafi.

INTERVISTA E PLOTË:

Ç’peshë ka krijimi ditë më parë i koalicionit mbarëshqiptar në Luginën e Preshevës dhe zgjedhja e institucioneve lokale?

Ragmi Mustafi: Edhe pse me polarizime të shumta ndërmjet partive politike shqiptare në Luginë të Preshevës në nivel të vetëqeverisjes lokale, politika shqiptare ka dëshmuar se sa i përket temave që prekin interesin kombëtar si dhe kërkesat politike të shqiptarëve të Luginës, mund të dalin me qëndrime të përbashkëta. Kjo dëshmohet më së miri me deklaratat e dala nga organi më i lartë joformal, Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptar të Luginës së Preshevës.  Së fundmi kemi edhe koalicionin e partive politike për zgjedhjet parlamentare në Serbi, me të cilin në zgjedhjet e fundit shqiptarët kanë marrë tre deputetë në parlamentin serb.

Po ashtu si fryt i kësaj iniciative, sot Komuna e Bujanocit udhëhiqet nga një koalicion i përbërë vetëm me shqiptarë. Edhe në Komunën e Preshevës pas një periudhe ku partia e Presidentit të Shtetit, Aleksandër Vuçiq ishte pjesë e qeverisjes në këtë komunë, qeverisje kjo që varej direkt nga votat e këshilltarëve serbë për të funksionuar, zgjedhjet e 28 marsit në Preshevë kanë prodhuar një koalicion i tëri shqiptar.

Përfaqësimi sa më i madh politik i shqiptarëve në të gjitha nivelet është edhe një mekanizëm shtesë që kërkesat e drejta të shqiptarëve të Luginës së Preshevës të adresohen drejt në çdo organ, qoftë ai vendor apo ndërkombëtar.

Cila është situata në Luginë të Preshevës dhe çfarë mesazhi përçojnë incidentet si ai me lapidarin e dëshmorit Fatmir Ibishi?

Ragmi Mustafi: Qëllimi i qeverisë së Beogradit në vazhdimësi është mbajtja e situatës jo stabile dhe të tensionuar në Luginën e Preshevës. Kjo ndodh vazhdimisht me vendosjen e trupave të xhandarmërisë në këtë rajon, edhe pas kërkesave të vazhdueshme të faktorit politik shqiptar që të largojë njësitet speciale nga kjo pjesë. Kjo jep një ndjenjë pasigurie tek banorët shqiptarë të këtyre komunave.

Edhe pse situata në përgjithësi është e qetë dhe pa incidente ndëretnike, ngjarje si ajo e lapidarit të dëshmorit Fatmir Ibishi në Konçul, e raste të ngjashme duket se janë përpjekje për të zhvendosur komplet vëmendjen nga shkeljet e të drejtave të njeriut dhe pakicave që qeveria vazhdon të bëjë ndaj shqiptarëve në këtë rajon. Pasivizimi i adresave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, me numër më të madh në Medvegjë e pjesët malore të Bujanocit e Preshevës, ka marrë  fokus të lartë ndërkombëtar.

Si qëndron situata me pandeminë e COVID-19 në Luginë të Preshevës?

Ragmi Mustafi: Në përgjithësi, situata me pandeminë COVID-19 ka filluar të përmirësohet sa i përket të infektuarve në Luginë. Momente delikate dhe të vështira për banorët e këtyre komunave ka pasur gjatë vitit 2020, ku përveç frikës nga infektimi me virusin korona dhe qasja për të marrë shërbimet shëndetësore, ishte edhe faktori ekonomik.

Duke qenë së shqiptarët e komunave Preshevë, Bujanoc e Medvegjë kryesisht veprimtari të tyre ekomomike i kanë bizneset e vogla familjare, nga mbyllja që ndodhte vazhdimisht janë prekur shumë dhe po kalojnë krizë të rëndë ekonomike.


A presin qytetarët e Luginës ndihmë nga Shqipëria dhe Kosova sa i përket vaksinave kundër koronavirusit? A keni kërkuar tek të dyja veç e veç ndihmë?

Ragmi Mustafi: Shteti serb ka pasur një qasje më të ndryshme sa i përket vaksinave në rajon, duke aprovuar thuajse të gjitha vaksinat e prodhuara deri më tani, dhe si pasojë e kësaj, Serbia ka pranuar një numër të madh të vaksinave që nga fillimi i vitit. Kjo ka bërë që për qytetarët e saj, e në këtë rast edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës që kanë qenë të gatshëm dhe të interesuar për të pranuar vaksinën anti COVID-19 ta marrin në Preshevë, Bujanoc edhe Medvegjë. Deri më tani sipas statistikave në këto komuna janë vaksinuar mbi 20 mijë qytetarë.

Po për idenë e bashkimit të Luginës me Kosovën, çfarë mendoni?

Ragmi Mustafi: Shqiptarët e Luginës së Preshevës më 1 dhe 2 korrik të vitit 1992 kanë realizuar referendumin e këtij rajoni duke votuar me mbi 99 përqind PRO në pyetjen se a janë për autonomi kulturore dhe territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën. Duke u bazuar në dokumentet si kjo, dhe nga mospërfillja e kërkesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe mosrealizimi i marrëveshjeve të nënshkruara mes liderëve politik shqiptarë dhe qeverisë së Serbisë, Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptar të komunave Preshevë, Bujanoc e Medvegjë më 14 korrik të vitit 2018 ka nxjerr Deklaratën Politike ku  ka kërkuar “nga Parlamenti, Presidenti dhe Qeveria e Republikës së Kosovës angazhim në funksion të realizimit të kërkesave politike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të parashtruara me dokumentet përkatëse në këtë deklaratë”.

Ka një proces dialogu që zhvillohet tash e dhjetë vjet në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë. Besoni se aty duhet të shtrohet çështja e Luginës?

Ragmi Mustafi: Liderët e Luginës së Preshevës me 14 Korrik 2018 kanë aprovuar Deklaratën politike nga Këshilltarët e Kuvendeve Komunale të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në bashkëpunim me shoqërinë civile, organizatat e dala nga UÇPMB (OVL UÇPMB) dhe Këshilli Kombëtar Shqiptar me të cilën është konstatuar “se pa zgjidhjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, nuk mund të ketë normalizim të mirëfilltë mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”.

Marrë shkas nga kjo, ne vazhdimisht kemi kërkuar që pjesë e agjendës së këtij dialogu të shtrohet edhe çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës sepse konsiderojmë që Lugina e Preshevës duhet të jetë pjesë e pandashme e zgjidhjes në mes të dy shteteve.

Si qëndron situata tani sa i përket shpopullimit të tri komunave të Luginës dhe cili është numri i banorëve që jetojnë sot në Luginë?

Ragmi Mustafi: Nënpërfaqësimi i shqiptarëve në institucionet e sistemit, papunësia më e larta në Serbi, të ardhurat gjashtë herë më të ulëta se mesatarja në Beograd, mungesa e zhvillimit të përshpejtuar ekonomik, mos respektimi i Kushtetutës, zbatimi i ligjeve selektivisht, racizmi shtetëror, pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Medvegjë, Preshevë e Bujanoc janë disa nga faktorët kryesorë që shumë të rinj nuk e kanë të vështirë të e shohin të ardhmen e tyre në këto komuna. Kjo po bën që në vazhdimësi të kemi një “brain drain” (ikje e trurit) nga kjo zonë.

Exit mobile version