UBT News

Ragmi Mustafi fitues i zgjedhjeve për Këshillin Kombëtar Shqiptar në Serbi

Partia për Veprim Demokratik në Luginën e Preshevës ka shpallur fitoren për zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar, të cilat u mbajtën dje më 13 nëntor në Serbi.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga komisionet komunale zgjedhore, kandidati i PVD-së, Ragmi Mustafi ka fituar gjithsej 4 mijë e 129 vota, i dyti ka dalë Levent Qazimi nga Alternativa për Ndryshim me 3 mijë e 825 vota, i treti Nevzad Lutfiu nga Lëvizja e Progresit Demokratik me 2 mijë e 258 vota, i katërti Agim Haliti nga Partia Demokratike me 1 mijë e 766 vota, dhe i pesti ka dalë Enver Mehmeti nga Partia Demokratike Shqiptare me 999 vota.

“Kjo është fitore e shqiptarëve. Ju faleminderit të gjithëve nga zemra. Përgëzoj rivalët për rezultatin e tyre. Ju shpreh gatishmërinë për bashkëpunim”, ka shkruar Mustafi në rrjetin social Facebook.

Në këto zgjedhje të regjistruar ishin 36 mijë e 238 votues, teksa 12 mijë e 977 persona morën pjesë.

Zgjedhjet u karakterizuan si të qeta, përveç në vendvotimet në fshatin Konçul dhe Samolicë të komunës së Bujanocit, ku ka pasur ndërprerje të procesit për disa minuta siç raportohet nga mediat lokale për shkak që persona të cilët nuk kanë qenë pjesë e listës kanë dashur të votojnë./UBTNews/

Exit mobile version